Koci kërkon reagim nga Osmani dhe Kurti: Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit, të ndalohen arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër pas konstatimit zyrtar të Komisionit Evropian se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, duke theksuar se arrestimet e shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe janë të paligjshme. Koci ka ftuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin Albin Kurti që të reagojnë institucionalisht ndaj këtij vlerësimi…

Lajme

10/02/2026 12:01

Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër pas konstatimit zyrtar të Komisionit Evropian se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, duke theksuar se arrestimet e shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe janë të paligjshme.

Koci ka ftuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin Albin Kurti që të reagojnë institucionalisht ndaj këtij vlerësimi të Komisionit Evropian, duke theksuar se Serbia nuk ka të drejtë të arrestojë ish-ushtarë të UÇK-së për vepra të pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, arrestimet dhe ndjekjet penale të shtetasve të Kosovës nga Serbia, pa kërkesë zyrtare të institucioneve të Kosovës, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të Brukselit.

Avokati Koci ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në Serbi për shkak të arrestimit të Mit’hat Lozhanit, rast të cilin po e përcjell nga afër.

Në fund, ai ka lëshuar edhe një apel publik, duke këshilluar ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe ish-zyrtarët e organeve të sigurisë së Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, për shkak të rrezikut të arrestimit.

Postimi i plotë: 
Ftoj Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti të reagojnë pas konstatimit zyrtar të bërë dje nga Komisioni Evropian – se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015.
Serbia nuk ka të drejtë të arrestojë asnjë ushtar të UÇK-së për vepra të pretenduara të kryera në Kosovë.
Prandaj, arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj shtetasve të Kosovës, pa kërkesë të institucioneve tona, bien ndesh me obligimet e pranuara në kuadër të dialogut.
P.S.
Momentalisht jam në Serbi, për rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit.
Sidoqoftë, mos kaloni nëpër Serbi, nëse keni qenë pjestarë i UÇK-së, apo i organeve të Sigurisë së Kosovës./lajmi.net/