KDI: Kosova shënon rënie në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency International në Kosovë, ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, sipas të cilit Kosova ka shënuar rënie në luftën kundër korrupsionit. Sipas këtij indeksi, Kosova ka marrë 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të nga gjithsej 182 shtete, duke shënuar rënie për…
Lajme
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency International në Kosovë, ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, sipas të cilit Kosova ka shënuar rënie në luftën kundër korrupsionit.
Sipas këtij indeksi, Kosova ka marrë 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të nga gjithsej 182 shtete, duke shënuar rënie për 1 pikë dhe për tri pozita krahasuar me vitin e kaluar.
Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se kjo rënie paraqet ndërprerje të trendit gradual të përmirësimit që Kosova kishte shënuar për gati një dekadë. Ai ka vlerësuar se stagnimi në indeks lidhet drejtpërdrejt me krizën parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e cila ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve dhe zbatimin e reformave kundër korrupsionit.
“Këtë vit Kosova ka shënuar gjithsej 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76 në mesin e 182 shteteve. Ky vlerësim paraqet një rënie prej 1 pike krahasuar me vitin e kaluar, si dhe me një renditje prej 3 pozitash më poshtë. Kosova me 43 pikë rangohet në të njëjtën vend me vende si Kina, Bregu i Fildishtë dhe Gana. Kosova fatkeqësisht ka ndërprerë trendin gradual të rritjes të cilin e ka shënuar për gjatë pothuajse një dekade dhe rënia si e tillë në indeks paraqet stagnim në luftën kundër korrupsionit dhe lidhet drejtpërdrejt me krizën parlamentare që pasoj zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar, që bllokoj funksionimin normal të institucioneve e rrjedhimit edhe zbatimin e reformave të rëndësishëm kundër korrupsionit. Për herë të parë qeveria në një mandat të plotë nuk miratoi strategji kombëtare kundër korrupsionit, e për më keq viti 2025 u përmbyll gjithashtu pa u dekretuar kryepro9kurori i ri i shtetit, pikërisht për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme nga ana e presidentes, kryeministrit dhe bartësve të tjerë institucional në raport me nominimin e ligjshëm nga ana e KPK-së. Mosplotësimi i kësaj pozite kyçe për një përudhë kaq të gjatë kohore ka dobësuar funksionimin e sistemit prokurorial dhe ka krijuar pasiguri institucionale në raport me luftën kundër korrupsionit”, ka thënë ai.
Duke folur për proceset zgjedhore, Cakolli ka deklaruar se ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë temë thelbësore në programet e partive politike kryesore.
“Ndryshe nga proceset e kaluara zgjedhore, në dy palë zgjedhje të vitit të fundit, lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë ndër temat bosh të programeve zgjedhore të asnjë prej partive politike kryesore. Qeveria në detyrë ka vazhduar të merr vendime me pasoja buxhetore në mungesë të transparencës dhe kontrollit parlamentar, ndërsa përgjatë proceseve zgjedhore ka pasur raste të shfrytëzimit të resurseve publike për qëllime të pastra elektorale”,ka potencuar Cakolli.
Florent Spahija poashtu nga KDI ka thënë se viti 2025 është karakterizuar me hetime dhe aktakuza ndaj disa zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, ku dyshohet për dëmtim të buxhetit prej rreth 3 milionë euro.
“Viti 2025 u karakterizua nga hetime dhe aktakuza ndaj disa zyrtarëve të lartë qeveritarë. Në rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, i cili dyshohet se kemi një dëmtim të buxhetit rreth 3 milionë euro. Po ashtu ajo që u vërejt gjatë këtij viti është mungesa e dënimeve nga ana e gjykatave për persona të korruptuar, pra për të gjithë zyrtarë e jozyrtarë. Kryeministri në detyrë u thirr si dëshmitar në këtë rast, por refuzoi disa herë të paraqitet para Prokurorisë Speciale. Kjo ka minon besimin në pavarësinë e drejtësisë dhe dëmton rëndë kulturën e llogaridhënies publike, drejtpërdrejt këto kanë çuar në perceptimin e korrupsionit. Po ashtu reformat në sistemin e drejtësisë gjatë vitit 2025 u paralizuan”, tha ai.
KDI kërkon që Kuvendi dhe Qeveria e re të veprojnë sa më parë dhe të njëjtat të veprojnë pa periudhë tranzicioni të zgjatur, duke vendosur në krye të agjendës luftën kundër korrupsionit, përfshirë miratimin e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit, finalizimin e paketës së reformës në drejtësi.
Ndërsa në krahasim me rajonin e Ballkanit Perëndimor, renditja sipas pikëve është si vijon, Mali i Zi (46), Kosova (43), Maqedonia e Veriut (40), Shqipëria (39), Bosnjë e Hercegovina (34) dhe Serbia (33)./kp