“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë dhe mbrojtëse”- Reagimet e Osmanit dhe Kurtit pas kërkesës së Prokurorisë për nga 45 vite burgim
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e presidentja Vjosa Osmani, më në fund kanë thënë disa fjalë për krerët e UÇK-së në Hagë. Kjo erdhi pas kërkesës së Prokurorisë që Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, të dënohen me nga 45 vjet secili. E para që reagoi ishte presidentja. Megjithatë, ajo kurrë nuk e përmendi Gjykatën Speciale.…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e presidentja Vjosa Osmani, më në fund kanë thënë disa fjalë për krerët e UÇK-së në Hagë.
Kjo erdhi pas kërkesës së Prokurorisë që Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, të dënohen me nga 45 vjet secili.
E para që reagoi ishte presidentja. Megjithatë, ajo kurrë nuk e përmendi Gjykatën Speciale. Foli për tentativa që të ndryshohet historia, por nuk e përmendi se kush po synon ta bëjë këtë. Pra, kujt i reagoi Osmani, nëse nuk e përmend me emër?
“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj”, ka shkruar në fillim të postimit ajo.
“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme. Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, tha presidentja.
Një reagim më të ashpër e pati kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai e përmendi drejtpërdrejt kërkesën e Prokurorisë së Hagës.
“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, ka shkruar Kurti.
“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare. Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”, tha më tutje ai.