Qytetarët për procesin në Hagë: Një gjykim i padrejtë, të akuzuarit tërësisht të pafajshëm
Qytetarët, me të cilët bisedoi KosovaPress, janë të mendimit se kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënim të ish-drejtuesve të UÇK-së, është krejtësisht e padrejtë. Gjatë ditës së sotme nisi faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. Kryeprokurorja, Kimberly West, kërkoi nga 45 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri…
Lajme
Qytetarët, me të cilët bisedoi KosovaPress, janë të mendimit se kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënim të ish-drejtuesve të UÇK-së, është krejtësisht e padrejtë.
Gjatë ditës së sotme nisi faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. Kryeprokurorja, Kimberly West, kërkoi nga 45 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Qytetari, Shaqir Dervishi, thotë se pavarësisht nga mbajtja e ish- krerëve të UÇK-së në Hagë për pesë vjet nuk gjetën fakte.
“350 veta i kanë marrë si dëshmitarë të rrejshëm edhe s’kanë mundur t’i gjejnë faktet kurrkund. E sot po i mbajnë edhe prapë po i lypin 45 vjet burgim për ta. Ata janë çlirimtarët tanë. Ata janë njerëzit që kanë luftuar për atdhe, janë njerëzit që kanë luftuar për shqiptarët, ata kanë luftuar për Kosovën, ta çlirojnë vendin e vet e jo ata t’i mbajnë sot në burg….Me qëllim janë që t’i shuajnë njerëzit të luftës, që e kanë çliruar vendin e vet, me qëllim e kanë këtu”, tha ai.
Ndërsa, një tjetër qytetar, Hilmi Rrahmani, konsideron se prokuroria po kërkon ta dënojë UÇK-në komplet, duke vënë në dukje se të akuzuarit janë udhëheqja e saj.
“Ata (ish krerët e UÇK-së) është dashur të jenë këtu. Pa marrë parasysh kush janë, ata janë njerëz të Kosovës, e kanë udhëhequr UÇK-në. Ajo prokurori po kërkon ta dënojë UÇK-në komplet, jo veç individët se ata janë udhëheqja”, tha ai.
Ndërsa, qytetari Mirsad Krasniqi vlerësoi se gjykata në Hagë, ku po akuzohen ish- krerët e UÇK-së, është politike.
“Kriminelet e vërtetë që kanë bërë krime më shumë në Kosovë, janë dënuar shumë më pak, duke qenë kriminel, që kanë bërë krime në ish Jogusllavi, e më së shumti te ne dhe në Bosnjë. …Edhe në fillim është ditë se kjo gjykatë është e pa drejtë kjo gjykatë është politike. Edhe ne kemi fajet se pse e lejuam me u kriju një gjykatë e tillë duke e dit se do të jetë e njëanshme, dhe vërtetë është e njëanshme”, tha ai.
Për sa i përket kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënim nga 45 vjet të ish- krerëve të UÇK-së, Bislim Ademi, thotë se është gabim
“Serbia neve na ka dëmtuar, kurse ne jemi viktimë. Ajo po rri e qetë. Shumë e padrejtë është. ….Po të pafajshëm 100%, sepse ne nuk kemi shkuar në tjetër shtet të marrim tokë dhe territor, por e kemi mbrojtur sa kemi mundur këtë vendin tonë” , tha Ademi.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./kp