​Supremja thotë se i ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

Gjykata Supreme në Kosovë ka njoftuar se ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave. Supremja ka shqyrtuar gjashtë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së,. Dy ankesa ishin bërë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome…

Lajme

09/02/2026 15:49

Gjykata Supreme në Kosovë ka njoftuar se ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.

Supremja ka shqyrtuar gjashtë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së,. Dy ankesa ishin bërë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilija Rexhepi dhe një nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka, Prizren).

Derisa pritet qpublikimi i vendimeve, nëse edhe Supremja i refuzon ankesat, i hapet rruga certifikimit të rezultateve. Më pas, brenda 30 ditësh duhet të thirret edhe seanca për konstituimin e Kuvendit.

Njoftimi:

Gjykata Supreme refuzon si të pabazuara ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të PZAP-së
– Gjykata Supreme ka vendosur për gjashtë ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Të gjitha ankesat janë refuzuar si të pabazuara.
Me aktgjykimin AA.nr.6/2026, Gjykata ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.
Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), në afat të lejuar ligjor ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën i konteston rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve të parakohshme, me pretendimin se numërimi i të gjitha votave në nivel vendi në QKN ka dëshmuar parregullsi dhe propozon që Gjykata Supreme të konstatojë shkeljet serioze të procesit zgjedhor.
Gjykata Supreme pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke vlerësuar se nuk qëndron pretendimi ankimor i ankuesit se votat janë në disproporcion të plotë me numrin real të banorëve në komunitetin rom, pasi me votat e votuesve të komuniteteve të tjera është siguruar përfaqësimi politik i komunitetit rom.
Me aktgjykimin AA.nr. 7/2026, Gjykata ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Koalicionit PAI- PDAK-LPB, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.
Koalicioni PAI-PDAK-LPB, në ankesë propozon që Gjykata Supreme të shfuqizojë vendimin e PZAP-së, nr. ZP.Anr.77/2026, dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim me udhëzimin për rinumërim të plotë, të pavarur dhe transparent të të gjitha votave.
Gjykata Supreme vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar. Kjo për faktin se ankuesi, me asnjë provë të vetme nuk ka arritur të vërtetojë se ka pasur shkelje apo parregullsi, respektivisht manipulime të votave.
Me aktgjykimin A.A.nr.8/2026, Gjykata ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Emilija Rexhepit, nga radhët e subjektit politik Nova Demokratska Stranka (NDS), me seli në Prizren, ndërsa vendimi i PZAP-së është vërtetuar.
Ankuesja ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar që të ndryshohet vendimi i PZAP-së, ashtu që të anulohen 85 votat e numëruara për subjektin politik “Koalicija Vakat” në vendvotimin nr. 2034 – Velezhë, në kuadër të llogaritjes për mandatin e rezervuar për komunitetin boshnjak dhe të urdhërohet KQZ që të korrigjojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Gjykata Supreme vlerëson se pretendimet e pambështetura me prova konkrete nuk mund të shërbejnë si bazë për një masë kaq ekstreme sa anulimi i votave, pasi kjo do të cenonte sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. Pranimi i një standardi të tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm, ku rezultati zgjedhor mund të vihet në dyshim thjesht mbi perceptime apo supozime subjektive.
Në këtë kuptim, vetëm shkeljet e provuara qartë dhe që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor mund të justifikojnë ndërhyrje në rezultatin e votimit, ndërsa thjesht fakti se votuesit i përkasin ose jo një minoriteti të caktuar nuk përbën, në vetvete, bazë ligjore për anulimin e votave.
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se çdo kufizim i së drejtës së votës duhet të jetë i parashikuar me ligj, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë proporcional. Anulimi i votave mbi baza etnike nuk përmbush asnjë nga këto kritere.
Me aktgjykimin A.A.nr.9/2026, Gjykata ka refuzuar ankesën e subjektit politik Nova Demokratska Stranka me seli në Prizren, ndërsa vendimi i PZAP-së është vërtetuar.
Subjekti politik Nova Demokratska Stranka me seli në Prizren, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme duke propozuar që të anulohen votat e numëruara për subjektin politik “Za Slobodu, Pravdu i Opstanak” në kuadër të llogaritjes për mandatin e rezervuar të komunitetit boshnjak në këto vendvotime në Komunën e Prizrenit: dhe të urdhërohet KQZ të korrigjojë rezultatin përfundimtar të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, duke përjashtuar nga llogaritja për mandatin e rezervuar boshnjak, votat e përmendura në ankesë, dhe “të rivendosë integritetin e përfaqësimit të komuniteteve jo-shumicë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet zgjedhore”.
Gjykata Supreme e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke vlerësuar se anulimi i votave nuk mund të mbështetet vetëm mbi pretendime të përgjithshme se kandidatët kanë marrë vota nga votues që nuk i përkasin minoritetit përkatës. Një qasje e tillë bie ndesh me parimet themelore të së drejtës së votës, si vota e lirë, e fshehtë dhe e barabartë. Ligji zgjedhor nuk e kushtëzon vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit, por me faktin që ai është i regjistruar ligjërisht dhe ka ushtruar të drejtën e tij në përputhje me procedurat e përcaktuara.
Si rezultat i kësaj, vetëm shkeljet e provuara, konkrete dhe të rënda që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor mund të justifikojnë ndërhyrje në rezultatin e votimit. Pretendimet mbi përkatësinë etnike të votuesve, në mungesë të një ndalimi ligjor dhe të provave të qarta, nuk përbëjnë bazë kushtetuese apo ndërkombëtare për anulimin e votave.
Me aktgjykimin AA.nr.10/2026, Gjykata ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiut, ndërsa vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.76/2026, i datës 03.02.2026, është vërtetuar.
Kundër vendimit të PZAP-së, ankuesi ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me propozimin që të anulohet vendimi i PZAP-së dhe sa i përket pjesës së ndarjes së mandateve për deputet në bazë të kuotës gjinore, të urdhërohet, KQZ-ja, që të bëjë korrigjimin apo ri-shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Gjykata Supreme e pranon si të drejtë dhe të ligjshëm vendimin e PZAP-së. Bazuar në dispozitat ligjore për barazinë gjinore në përfaqësim, ndarja e mandateve duhet të respektojë parimin e përfshirjes minimale prej 30% për secilën gjini, si në fazën e përpilimit të listave të kandidatëve, ashtu edhe në fazën përfundimtare të ndarjes së mandateve. Së pari, sipas nenit 28 paragrafi 1 të LPZ-së, të cituar më lartë, lista e kandidatëve të çdo subjekti politik duhet të përmbajë së paku 30% femra dhe 30% meshkuj, si dhe të sigurojë përfaqësim gjinor të shpërndarë në mënyrë të rregullt, me nga një kandidat të secilës gjini në çdo grup prej tre kandidatësh. Ky rregull synon jo vetëm barazinë formale në listë, por edhe krijimin e kushteve reale që kjo barazi të reflektohet në përfaqësimin përfundimtar.
Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se në rastin konkret, subjekti politik PDK, ka fituar 22 mandate, ndërsa llogaritja e kuotës minimale gjinore prej 30% mbi këtë numër mandatesh rezulton të jetë 7 mandate që duhet t’i përkasin gjinisë pakicë e që në rastin konkret është përmbushur me të drejtë nga ana e KQZ-së.
Me aktgjykimin A.A.nr.11/2026, Gjykata ka refuzuar ankesën e kandidat për deputet nga Subjekti Politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, Bekim Haxhiut, ndërsa vendimi i PZAP-së, ZP.Anr.75/2026, është vërtetuar.
Ankuesi ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me propozimin që të konstatohet se përfshirja në rezultatin zgjedhor e fletëvotimeve me postë të administruara pas afatit të përcaktuar me nenin 96 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 08/L-228 është në kundërshtim me ligjin, dh të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas afatit ligjor.
Gjykata vlerëson se pranimi i këtyre votave është bërë në bazë të një vendimi të organit kompetent, përkatësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili gëzon autoritet kushtetues dhe ligjor për administrimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e procesit zgjedhor. Vendimi i KQZ-së, përmes të cilit është legjitimuar pranimi i këtyre votave, ka prodhuar efekte juridike të plota dhe ka qenë në fuqi në momentin e zbatimit të tij. Ky vendim i KQZ-së nuk është atakuar asnjëherë nga asnjë palë e interesit, as përmes mjeteve juridike të parapara me ligj dhe as brenda afateve procedurale përkatëse. Mos ushtrimi i mjeteve juridike kundër këtij vendimi nënkupton pranimin e tij të heshtur dhe konsolidimin e plotë të fuqisë së tij juridike. Në këtë kontekst, çdo përpjekje e mëvonshme për të kontestuar pasojat e një vendimi të tillë, pa e pasur më parë të kontestuar vetë vendimin, bie ndesh me parimet themelore të sigurisë juridike, stabilitetit të rendit juridik dhe besimit të ligjshëm në veprimet e autoriteteve publike.
Linqet e vendimeve: