Reagon Haxhiu: Kërkesa e Prokurorisë Speciale për 45 vite burgim për secilin është tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar për kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vite burgim secili. Haxhiu tha se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare…

Lajme

09/02/2026 14:54

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar për kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vite burgim secili.

Haxhiu tha se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës dhe se kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi.

“Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”,tha Haxhiu.

Ajo deklaroi se Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte, dëbime masive të popullsisë etj dhe se këto krime janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë.

“E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan. Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit”.

Haxhiu theksoi se UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb.

“Ky është shtrembërim i historisë. Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”./Lajmi.net/