Defekti në ”Kosova B”, Ymeri: Kostot e importit po rriten, paratë po shkojnë te tregtarët e energjisë

Pas njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës se njësia B1 e termocentralit Kosova B është ndalur për shkak të rrjedhjeve të avullit, ka reaguar Janna Ymeri nga Lidhja Demokratike, duke e cilësuar situatën si menaxhim të dobët që rëndon buxhetin e shtetit. KEK njoftoi se sot rreth orës 10:00 janë evidentuar “rrjedhje të konsiderueshme të…

Lajme

09/02/2026 08:36

Pas njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës se njësia B1 e termocentralit Kosova B është ndalur për shkak të rrjedhjeve të avullit, ka reaguar Janna Ymeri nga Lidhja Demokratike, duke e cilësuar situatën si menaxhim të dobët që rëndon buxhetin e shtetit.

KEK njoftoi se sot rreth orës 10:00 janë evidentuar “rrjedhje të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës”, çka ka imponuar ndaljen e bllokut.

Në reagimin e saj, Ymeri ka ngritur shqetësimin se dështimet teknike po bëhen të zakonshme dhe se kostoja financiare e kësaj ndërprerjeje është e lartë. Ajo ka paraqitur të dhëna se zëvendësimi i prodhimit vendas me import po bëhet me çmime shumë më të larta se ato të KEK-ut.

“Të paktën 6000 Euro deri 9,500 Euro më shumë në orë po shkojnë import me çmime të Alpex-it,” shkruan Ymeri, duke shtuar se çmimi i energjisë për nesër në bursë pritet të jetë “afër 80 Euro/MWh”, që sipas saj është më shumë se dyfishi i kostos së prodhimit nga KEK.

Përveç çmimit të energjisë, zyrtarja e LDK-së ka ngritur alarmin edhe për rritjen drastike të kostove të transmetimit, duke theksuar se ankandi ditor për bartje rritet “nga 1,989 Euro në 11,085 Euro”.

Ymeri ka kritikuar ashpër Qeverinë dhe narrativën e saj mbi sukseset energjetike, duke akuzuar se përfituesit realë të kësaj situate janë tregtarët privatë.

Postimi i plotë:

Të thuash se sot një bllok i termocentralit nuk punon, fatkeqësisht është bërë e zakonshme, megjithatë të thurren poste lavdata të tipit ” e kemi siguruar bukën e motmotit” është e pavend edhe aspak profesionale.
Të dhënat:
1. B1 ka qenë në plan të mos punoj për 49 ditë për revizion e riparim në muajt Mars, Prill e Tetor 2025.
Meqenëse ky plan është publikuar në fundvit nga ZRRE, e marr të mirëqënë se 49 ditë janë arsyetuar me riparime.
Nga 2026
2. B1 nuk ka punuar në datat 3 Janar e 4 Janar, tutje
B1 nuk ka punuar plotësisht në datat 12 janar, 13 Janar e 14 Janar.
3. Sa për sigurimin e bukës motmotit, nga ora 18 sonte janë planifikuar për import 150-200 MW/h më shumë sesa e diela e kaluar (krahasimi javë- javë është relevant), sepse ne nuk kemi asnjëherë teper energji jashta orëve të mesnatës dhe çdo rënie na bën të kërkojmë rrymë urgjentisht.
Kêshtu të paktën 6000 Euro deri 9,500 Euro më shumë në orë po shkojnë import me çmime të Alpex it.
4. Çmimi në Alpex për sot është dukshëm më i lartë se ai që ofronte KEK dhe nesër do jetë më shumë se dyfishi i cmimit në KEK, afër 80 Euro/MWh (DAM, 79.48 Euro/MWh)
5. Poashtu, automatikisht rriten çmimet e bartjes ku në krahasim me javën e kaluar (ditë e Hënë) dhe nesër ankandi ditor për bartje të rrymës rritet nga 1,989 Euro në 17, 244 Euro.
Çdo gjë dihet, sa gjenerohet, sa importohet, sa kushton bartja, sepse platformat janë ndërkombëtare.
Propagandat që po bëhen kanë pasur vend e vlerë për shtete të izoluara, në Shqipërinë e kahmotshme, por nuk pranohen këso lëvdata varfërie në Kosovë.
Ne jemi gjallë, të vetëdijshëm e nuk jemi sikurse Kurti që ka menduar se nuk dijmë sa paguajmë.
E dijmë sa paguajmë, çfarë po paguajmë edhe më e dhimshme, kënd po a pagujmë që nuk po del të jetë KEK por tregtarët e energjisë elektrike.
Në koment gjeni referencat dhe llogaritjet.