Shqipëria po bëhet destinacion për pensionistët nga SHBA-ja
Qiratë dhe kostoja më e ulët e jetesës, si dhe mundësia për të qëndruar deri në një vit pa leje qëndrimi po e bëjnë Shqipërinë destinacionin e parapëlqyer edhe për pensionistët amerikanë. Sipas agjentëve të pasurive të patundshme, Vlora dhe Saranda janë ndër qytetet kryesore ku ata qëndrojnë me qira nga 400 deri në 500…
Lajme
Qiratë dhe kostoja më e ulët e jetesës, si dhe mundësia për të qëndruar deri në një vit pa leje qëndrimi po e bëjnë Shqipërinë destinacionin e parapëlqyer edhe për pensionistët amerikanë.
Sipas agjentëve të pasurive të patundshme, Vlora dhe Saranda janë ndër qytetet kryesore ku ata qëndrojnë me qira nga 400 deri në 500 USD në muaj.
Prej muajit tetor, Lisa Spence, 62 vjeçe, nga shteti i Alabamës në SHBA, jeton në Vlorë.
Zonja Spence tregon për “Monitor” se ka zgjedhur të jetojë për një vit në Shqipëri për shkak të kostos së ulët të jetesës dhe leverdishmërisë ekonomike, duke pasur parasysh të ardhurat e saj mujore nga pensioni me vlerë 2,200 USD.Lisa tashmë pensioniste, tregon se ka punuar 18 vjet si administratore në një zyrë kontabiliteti të një kompanie të madhe ndërtimi. Ajo pohon se jeta në SHBA është shumë herë më e shtrenjtë krahasuar me Shqipërinë. Sipas saj, kjo është një ndër arsyet kryesore pse ka vendosur të qëndrojë për një vit në Vlorë.
Ajo jeton në një apartament me qira në zonën e Lungomares në Vlorë. Për një apartament me dy dhoma dhe ballkon me pamje panoramike, paguan 400–500 USD në muaj, ndërsa në SHBA, një pronë e ngjashme sipas saj do të kushtonte minimalisht 1,400 USD.
“Me të ardhurat që kam nga pensioni, nuk do të mbijetoja në SHBA. Cilësia e jetës këtu është shumë i mirë duke pasur parasysh, të ardhurat mujore nga pensioni. Gjithashtu njerëzit janë shumë mikpritës.
Në Shqipëri mund të shijosh momentet e vogla të jetës, si të pish një kafe, të ecësh apo të bësh shëtitje. Edhe cilësia e ushqimeve është shumë e mirë. Klima, ajri i pastër, deti, Vlora është vend ideal për të bërë një jetë të mirë. Atje të gjithë njerëzit nxitojnë. Këtu jeta është më e qetë”, shprehet ajo.
Kjo është përvoja e saj e parë e të jetuarit në një shtet jashtë SHBA-së. Zonja Spence u njoh me Shqipërinë pas disa kërkimeve që bëri mbi listën e vendeve miqësore të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku përfshihet edhe Shqipëria.
“Ishte shumë e rëndësishme që, para se të vendosja se ku do të jetoja, të bëja një kërkim mbi shtetet në listën e vendeve miqësore të publikuara nga DASH, pasi për një zonjë pensioniste që jeton e vetme, siguria mbetet kryesorja”, – përfundon Spence.
Më tej, ajo nënvizon se deri tani ka qenë shumë e lehtë për të pasur shërbim ambulator mjekësor, edhe për shkak të një gjendjeje gripale që kaloi, si dhe kujdesin dentar. Ajo shton se deri tani nuk i është dashur të përdorë shërbim spitalor.
Spence e rekomandon qytetin e Vlorës edhe për shtetas të tjerë amerikanë që kërkojnë të jetojnë jashtë vendit të tyre, pas daljes në pension.
Agjentët e tregut të shitblerjes së pasurive të paluajtshme pohojnë se në qytetet bregdetare, si në Vlorë dhe Sarandë, vihet re një tendencë e rritjes të kërkesës së shtetasve të huaj pensionistë, përfshirë edhe shtetasit amerikanë për të jetuar me qira.
Sipas agjentes imobiliare Viola Shehaj-Malaj, kërkesa e pensionistëve amerikanë për të jetuar në qytetin e Vlorës në apartamente me qira ka shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2025, tendencë që ka vijuar edhe në muajin e parë të 2026.
Në tërësi, sipas saj, afatet e qëndrimit nga shtetasit e huaj që kanë zgjedhur Vlorën për të qëndruar zgjatin nga 1 deri në 2 vite. Ndërsa pensionistët amerikanë po testojnë këtë lloj përvoje, për të vendosur më tej për afatet e qëndrimit, duke shfrytëzuar avantazhin e qëndrimit deri në një vit në Shqipëri pa vizë dhe leje qëndrimi.
Shehaj-Malaj thekson se një nga faktorët kryesorë që i tërheq është kostoja e ulët e jetesës në Shqipëri krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht çmimet e ulëta të qirave, klima dhe qetësia që gjejnë në qytetet bregdetare.
“Shumica e shtetasve amerikanë që po zgjedhin të qëndrojnë në Vlorë pohojnë se arsyeja kryesore mbetet kostoja e ulët e jetesës, sidomos e qirave që janë shumë herë më të lira. Nëse në Vlorë gjen një apartament të tipologjisë 1+1 me çmim 400 USD/muaj, në SHBA çmimi minimal është rreth tre herë më i lartë.
Por duhet theksuar se shumë prej pensionistëve amerikanë janë në fazën e testimit. Shumë prej tyre parapëlqejnë të qëndrojnë disa javë apo disa muaj, duke shfrytëzuar afatin e qëndrimit njëvjeçar pa vizë dhe leje qëndrimi në Shqipëri, për ta testuar këtë përvojë. Disa të tjerë zgjedhin të qëndrojnë një vit të plotë, për t’u larguar dhe për t’u kthyer sërish. Kjo periudhë i ndihmon të marrin vendimin nëse do të qëndrojnë afatgjatë”, nënvizon ajo.
Përveç shtetasve amerikanë, qyteti i Vlorës vijon të mbetet mjaft i kërkuar për qëndrim afatgjatë edhe prej pensionistëve italianë, sipas agjentes imobiliare. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, deri në muajin mars 2025, numri i pensionistëve italianë që jetonin në Shqipëri arriti në 3,000 nga 300 pensionistë italianë në vitin 2021.
Rritja e numrit të tyre është ndikuar nga politikat fiskale të Shqipërisë për mostatimin e pensioneve të shtetasve italianë.
“Në praktikë, nëse në Itali 1,500 euro bruto kthehen në 1,150 euro neto, këtu mbeten 1,500 euro të pastra. Dhe nuk vijnë vetëm ata me të ardhura të ulëta, por ka edhe shumë pensionistë të pasur me më shumë se 50 mijë euro në vit”, pohoi më herët për “Corriere Della Sera” një pensionist italian që jetonte në Shqipëri./tvklan