Kërkesa e ZRRE-së për të ndryshuar datat e remontit bie në vesh të shurdhër, KEK thotë se interventimet do të vazhdojnë sipas planit
Megjithë sugjerimin e ZRRE-së për të shtyrë punimet e planifikuara të KEK-ut për rinovimin e blloqeve, nuk pritet të merret parasyshë. Korporata Energjetike e Kosovës konfirmon se interventimet do të vazhdojnë sipas planit, transmeton lajmi.net. Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka theksuar se çdo vonesë mund të rrezikojë operimin afatgjatë të kapaciteteve prodhuese dhe se…
Lajme
Megjithë sugjerimin e ZRRE-së për të shtyrë punimet e planifikuara të KEK-ut për rinovimin e blloqeve, nuk pritet të merret parasyshë.
Korporata Energjetike e Kosovës konfirmon se interventimet do të vazhdojnë sipas planit, transmeton lajmi.net.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka theksuar se çdo vonesë mund të rrezikojë operimin afatgjatë të kapaciteteve prodhuese dhe se vendimet nuk duhet të bazohen vetëm në situatën e përkohshme.
“Vonesa apo moszbatimi i planit do të cenonte seriozisht sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit energjetik. Qasja jonë është investim në stabilitet, siguri teknike dhe performancë afatgjatë, jo vetëm rehati momentale,” tha Bucolli për RTV 21.
Çka ka kërkuar ZRRE?
ZRRE-ja ka kërkuar që remonti i planifikuar të shtyhet për në muajin maj ose në një tjetër periudhë, duke garantuar që siguria e furnizimit me energji elektrike të mos rrezikohet.
Sipas planeve të KEK-ut, njësia B1 e Termocentralit Kosova B do të qëndrojë jashtë funksionit për tetë muaj. Investimet për riparimin e saj janë planifikuar të fillojnë më 8 prill dhe të përfundojnë më 9 dhjetor, duke sjellë një mungesë prej 250 megavatë orë energji gjatë kësaj periudhe.
Përveç kësaj, janë parashikuar riparime njëmujore në njësitë A3 dhe A4 gjatë muajve qershor-korrik dhe gusht-shtator. Krahas riparimeve të mëdha, gjatë këtij viti priten edhe nëntë ndalje për kontrolle rutinore në katër njësi të KEK-ut, secila prej të cilave do të zgjasë deri në 10 ditë./lajmi.net/