Kërkohet paraburgim për 22 kryesues në Gjakovë, dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit zgjedhor. Sipas njoftimit zyrtar, veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve gjatë numërimit të votave brenda subjekteve…

Lajme

06/02/2026 16:13

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit zyrtar, veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës, transmeton lajmi.net.

Në kuadër të hetimeve janë intervistuar gjithsej 22 persona në cilësinë e kryesuesve të vendvotimeve. Të njëjtit dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria tashmë i është drejtuar gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.

Njoftimi i plotë:

Kërkohet paraburgim ndaj 22 kryesuesve për falsifikim të rezultateve të votimit në Komunën e Gjakovës
Gjakovë, 6 shkurt 2026 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinion publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka realizuar veprimet lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 22 (njëzet e dy) kryesues.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve./lajmi.net/