Gjyqësori i Kosovës thellon bashkëpunimin me institucionet turke në fushën e drejtësisë

Delegacioni i lartë i gjyqësorit të Kosovës, përbërë nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, dhe drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi. Kjo vizitë është pjesë e Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për…

Lajme

06/02/2026 12:38

Delegacioni i lartë i gjyqësorit të Kosovës, përbërë nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, dhe drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi. Kjo vizitë është pjesë e Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë.

Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni kosovar zhvilloi takime dhe vizita zyrtare në institucionet më të larta gjyqësore dhe ekzekutive të Turqisë, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Shtetit, transmeton lajmi.net.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Turqisë, Ömer Kerkez, priti Rexhepin dhe Zogajn, me të cilët diskutoi mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy sistemeve të drejtësisë, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit.

Delegacioni kosovar pati takime edhe me zëvendësministrin e Drejtësisë, Hurshit Yıldırım, kryetarin e Akademisë së Drejtësisë së Turqisë, Bekir Altun, zv/kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Basri Bagci, zv/kryetarin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, Fuzuli Aydogdu, kryetarin e Këshillit të Shtetit, Zeki Yigit, dhe presidentin e TİKA-s, Abdullah Eren.

Po ashtu, vizitën e shfrytëzojnë edhe gjyqtarët e rinj të gjeneratës së 13-të nga Kosova, të cilët ndjekin Programin Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe TİKA-n. Ky program ka për qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Sistemi gjyqësor i Kosovës shprehu mirënjohje për Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe TİKA-n për mbështetjen dhe realizimin e kësaj vizite, duke e cilësuar si një mundësi të rëndësishme dhe frytdhënëse për institucionet e drejtësisë në Kosovë./lajmi.net/