Armand Duka vlerëson lartë progresin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë

Presidenti i Federatës së Futbollit Shqiptar, Armand Duka mori sot pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës. Në këtë Kuvend, u rizgjodh president i FFK, Agim Ademi si dhe u zgjodhën 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duke riafirmuar qëndrueshmërinë institucionale dhe vazhdimësinë e projekteve zhvillimore të Federatës së Kosovës. Në fjalën e…

Sport

05/02/2026 15:46

Presidenti i Federatës së Futbollit Shqiptar, Armand Duka mori sot pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në këtë Kuvend, u rizgjodh president i FFK, Agim Ademi si dhe u zgjodhën 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duke riafirmuar qëndrueshmërinë institucionale dhe vazhdimësinë e projekteve zhvillimore të Federatës së Kosovës.

Në fjalën e tij në cilësinë e zëvendëspresidentit të UEFA-s, Duka vlerësoi progresin e ndjeshëm të bërë nga Federata e Kosovës gjatë katër viteve e fundit.

Ai theksoi se futbolli në Kosovë po ndërtohet mbi baza të qarta, të strukturuara dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet evropiane.

“Në aspektin sportiv, futbolli i Kosovës vazhdon të shënojë përparim të qëndrueshëm. Paraqitja e përfaqësueses A në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026 dhe pjesëmarrja e saj në play-off-in e marsit, për të qenë pjesë e finaleve, dëshmojnë qartë zhvillimin dhe ambicien e lartë. Uroj që Kosova të ketë suksese në dy ndeshjet e ardhshme në play-off-it. Në nivel klubesh, arritjet janë të mëdha. Drita jo vetëm që është kualifikuar në grupet e UEFA Europa Conference League, por edhe i ka kaluar ato dhe sot është në fazën play-off. Po ashtu, progresi i përfaqësueseve të moshave të reja është evident. Kombëtarja U-21 ka bërë një performancë pozitive në ndeshjet kualifikuese dhe ka shumë shanse që të jetë pjesë e finaleve të EURO U-21 2027. Uroj që të jetë pjesë e këtij eventi madhor në Tiranë. Ky zhvillim pasqyron rëndësinë që i është kushtuar futbollit të të rinjve dhe tregon se investimet e bëra sot po japin rezultate konkrete për të ardhmen”, tha ai.

“Të marra së bashku, këto zhvillime dëshmojnë se futbolli në Kosovë po ecën përpara në mënyrë të strukturuar dhe të qëndrueshme, nga infrastruktura, te futbolli i bazës, te zhvillimi i të rinjve, garat e klubeve dhe ekipet kombëtare”.