“Jetojmë me borxhe” – Aksion simbolik nga rinia e PDK-së në Prishtinë kundër shtrenjtimit të rrymës për 21 për qind

Para pak minutash disa të rinj të PDK-së në mënyrë mjaft kreative kanë kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 21 për qind. Ata në sheshet e Prishtinës kanë paraqitur një pllakadë që tregon se paga që merr një qytetar i Kosovës nuk del për të kryer shërbimet elemetare të jetesës përfshirë, ushqimin, rrymën,…

Lajme

05/02/2026 14:08

Para pak minutash disa të rinj të PDK-së në mënyrë mjaft kreative kanë kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 21 për qind.

Ata në sheshet e Prishtinës kanë paraqitur një pllakadë që tregon se paga që merr një qytetar i Kosovës nuk del për të kryer shërbimet elemetare të jetesës përfshirë, ushqimin, rrymën, ujin e çerdhen për fëmijë, madje nganjëherë shpenzimet e kalojnë edhe pagën që qytetarët marrin, raporton lajmi.net

Protesta e paralajmëruar për nesër në Prishtinë vjen pas kërkesës së furnizuesit me energji elektrike KESCO për rritjen e tarifave të rrymës për rreth 21 për qind.

Kompania ka dorëzuar aplikimin për të hyrat maksimale të lejuara pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e arsyetuar kërkesën me rritjen e kostos së importit të energjisë elektrike.

Sipas KESCO-s, gjatë vitit të kaluar importi ka tejkaluar vlerat e parashikuara, duke krijuar kosto shtesë prej dhjetëra milionë eurosh.

ZRRE ka konfirmuar se aplikacioni është në shqyrtim dhe se vendimmarrja do të bazohet në raportin konsultativ që pritet të publikohet. Deri atëherë, institucionet nuk kanë dhënë sinjale të qarta nëse do ta miratojnë apo jo kërkesën për shtrenjtim./Lajmi.net/