Dorëzimi i dosjeve për hetim, Prebreza: Dikush duhet të marrë përgjegjësi për degradimin e Fushë-Kosovës
Kryetari i Fushë-Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza, ka dorëzuar dy ditë më parë mbi 60 dosje për hetim në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës. Sipas tij, këto dosje lidhen me dëmtimin e interesit publik dhe dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë qeverisjes së kaluar. Prebreza tha se që…
Lajme
Kryetari i Fushë-Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza, ka dorëzuar dy ditë më parë mbi 60 dosje për hetim në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Sipas tij, këto dosje lidhen me dëmtimin e interesit publik dhe dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë qeverisjes së kaluar.
Prebreza tha se që nga marrja e mandatit janë hasur në “vendime të jashtëligjshme” që janë zbatuar nga strukturat politike më parë.
“Me marrjen e detyrës ne kemi hasur në disa vendime të jashtëligjshme me të cilat është punuar në të kaluarën. Njëra ndër to ka të bëjë me pjesën e ndërtimit të qytetit. Nga Ministria e Infrastrukturës kemi marrë informacione që një vendim i tillë është i jashtëligjshëm e me të cilin kanë punuar me vite të tëra, i njëjti nuk ka kaluar instancat e ligjshmërisë që përcaktohet për qeverisje lokale”, deklaroi ai në Tëvë1.
Prebreza shtoi se dosjet përfshijnë fusha të ndryshme, duke përfshirë subvencionet, investimet infrastrukturore dhe shërbimet publike.
“Ka dosje në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe fushën e subvencioneve që janë dhënë nga komuna, pastaj në pjesën e investimeve infrastrukturore. Ne edhe më herët e kemi ngritur zërin që investimet, projektet janë të dobëta dhe me shpenzime bajagi të mëdha. Ne si problem e kemi edhe objektet e shërbimeve publike që janë ndërtuar, duke përfshirë, shkolla, shtëpi shëndeti, të cilat janë pa kualitet e që janë ndërtuar me një vlerë të mëdha financiare e që realisht na del se parallogaritje dhe paramanat janë bërë në bazë të interesave të ngushta edhe qëllimeve për ta dëmtuar buxhetin”, deklaroi ai.
Kreu i Komunës tha se pret që hetimet të bëhen në detaje.
“Është koha që dikush të marrë përgjegjësinë për degradimin që ka ndodhur në Fushë-Kosovë”.