Kurti: Numri i bizneseve të reja është rritur, Kosova është e hapur për investime serioze

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e Ditës Franceze të Biznesit, që u organizua nga Këshilli i Investitorëve Europian në Kosovë. Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, është e hapur për investime serioze dhe se po zgjerojmë mundësi tregtare…

Lajme

05/02/2026 12:56

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e Ditës Franceze të Biznesit, që u organizua nga Këshilli i Investitorëve Europian në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, është e hapur për investime serioze dhe se po zgjerojmë mundësi tregtare me rajonin, Evropën dhe më gjerë.

“Vendi ynë, Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe po, tash e kemi edhe stabilitetin institucional, i cili dëshirohet aq shumë prej bizneseve, meqënëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale.” Kurti.

Ai shtoi se kemi punuar për të forcuar sundimin e ligjit, për të ulur praktikat informale dhe për të krijuar një terren të barabartë, sepse konkurrenca duhet të jetë e drejtë për ata që inovojnë dhe investojnë.

Kryeministri i ftoi kompanitë franceze të investojnë në vendin tonë, gjersa shtoi se Kosova po investon në infrastrukturë, sepse ajo e shtyn përpara gjithçka tjetër: konkurrueshmërinë, sigurinë energjetike, logjistikën dhe cilësinë e jetesës. Ne duam partneritete, të cilat sjellin standarde të larta, projekte transparente, konkurruese dhe të përfunduara me kohë.

Ai tha se po mbështesim një ekonomi prodhuese, ku suksesi bazohet në punë, inovacion dhe meritë, dhe po e përmirësojmë klimën e investimeve përmes reformave që zvogëlojnë barrën administrative dhe rrisin transparencën. E në këtë drejtim, kryeministri Kurti tha se duam investime që krijojnë vende pune cilësore, mbështesin eksportet dhe ndërtojnë kapacitete reale, veçanërisht në prodhim, shërbime, teknologji informative dhe rritje të gjelbër.

Fjala e plotë:

Mirë se vini në Kosovë. Është kënaqësi që t’ju presim në Ditën e Biznesit Francez, në një moment kur Evropa po rishikon zinxhirët e furnizimit, sigurinë energjetike dhe llojin e partneriteteve që zgjasin. Dhe, nëse ka një fjalë që duhet të përkufizojë bashkëpunimin tonë sot, ajo është, besimi. Sepse, besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik.

Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri.

Kur rregullat janë të qarta dhe zbatohen me drejtësi, kompanitë e mira sigurt rriten, investitorët planifikojnë afatgjatë dhe shoqëritë fitojnë besim në të ardhmen.

Sot dua të ndaj me ju tri mesazhe:

– Së pari, Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore,
– Së dyti, Kosova është e hapur për investime serioze dhe;
– Së treti, Kosova po zgjeron mundësi tregtare me Evropën, me rajonin dhe më gjerë.

Vendi ynë, Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe po, tash e kemi edhe stabilitetin institucional, i cili dëshirohet aq shumë prej bizneseve, meqënëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale.

Kemi punuar për të forcuar sundimin e ligjit, për të ulur praktikat informale dhe për të krijuar një terren të barabartë, sepse konkurrenca duhet të jetë e drejtë për ata që inovojnë dhe investojnë.

Ne besojmë që ligji na bën bashkë si qytetar të së njëjtës shoqëri e kurrsesi të na ndajnë në ata që janë të paprekshëm prej atyre që bëhen të pambrojtur dhe, këtë qasje tonë, ne e mbështesim me një kornizë tatimore, e cila është edhe e thjeshtë edhe konkurruese:

– Tatimi në fitim për korporata është 10 për qind.
– Tatimi mbi dividendët është zero.
– Tatimi mbi pagat është progresiv, por deri në 10 për qind.
– Nuk ka doganë për makinerinë prodhuese dhe;
– Eksportet nuk tatohen.

Këto nuk janë vetëm përparësi teorike. Janë vendime praktike, të cilat e shpërblejnë produktivitetin, punësimin formal dhe investimin në kapacitete moderne.

Për mysafirët tanë nga Franca, nëse jeni këtu për infrastrukturë, jeni në vendin e duhur.

Kosova po investon në infrastrukturë, sepse ajo e shtyn përpara gjithçka tjetër: konkurrueshmërinë, sigurinë energjetike, logjistikën dhe cilësinë e jetesës. Ne duam partneritete, të cilat sjellin standarde të larta, projekte transparente, konkurruese dhe të përfunduara me kohë.

Kompanitë franceze respektohen botërisht për ekselencë inxhinierike, realizim projektesh dhe cilësi të vlerësuar. Ne duam t’ju përfshijmë jo vetëm si kontraktorë, por si partnerë afatgjatë, duke sjellë teknologji, trajnim dhe inovacion dhe duke na ndihmuar të ndërtojmë sisteme të qëndrueshme për dekadat e ardhshme.

Infrastruktura nuk është vetëm rrugë, hekurudhë dhe energji. Ajo është besim. Ajo i tregon çdo investitori, çdo sipërmarrësi dhe çdo të riu, se vendi po planifikon përpara dhe po ndërton me sukses e për sukses.

Kosova shpesh përshkruhet si vend me potencial. Por, sektori ynë privat po dëshmon diçka edhe më të mirë: rezultate.

Fitimi i korporatave në Kosovë në vitin që shkoi krahasuar me pesë vjet më herët, është rritur për 150 për qind. Kosova është një vend ku të tjerët vijnë dhe fitojnë.

Krahasuar me 4 vjet e gjysmë më herët, numri i bizneseve të reja në Kosovë, është rritur për 26 për qind e numri i bizneseve të reja me pronësi të huaj, është rritur për 55 për qind.

Bizneset tona po zgjerohen, po eksportojnë dhe po ngjiten në zinxhirët e vlerës pikërisht duke iu falënderuar bashkëpunimit. Pra, ne duam edhe konkurrueshmëri sipas ligjit, por edhe bashkëpunim me besim.

Po mbështesim në Kosovë një ekonomi prodhuese, jo të varur, një ekonomi ku suksesi bazohet në punë, inovacion dhe në meritë.

Po e përmirësojmë klimën e investimeve përmes reformave që e zvogëlojnë barrën administrative dhe e rrisin transparencën. Duam investime që krijojnë vende pune cilësore, mbështesin eksportet dhe ndërtojnë kapacitete reale, veçanërisht në prodhim, shërbime, teknologji informative dhe rritje të gjelbër.

Një koment i lehtë, sepse këtu sot e kemi një ditë serioze biznesi, por duhet të jetë edhe njerëzore e shoqërore: si Kryeministër, unë rrallë marr duartrokitje për uljen e burokracisë. Por kam vërejtur diçka, që sipërmarrësit duartrokasin me hapa: kur procesi është i thjeshtë, ata kthehen. Kur është i komplikuar, t’i dërgojnë avokatët.

Por përtej humorit, ky është thelbi: ne duam ta bëjmë të bërit biznes në Kosovë më të lehtë, më të pastër dhe më të shpejtë, që ju të fokusoheni në ndërtim, prodhim dhe eksport.

Në gjithë Evropën, kompanitë kërkojnë besueshmëri, pra zinxhirë furnizimi më të shkurtër, partnerë të besuar dhe mjedise të qëndrueshme. Kosova mund të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje të përbashkët.

Ne jemi të pozicionuar për t’i shërbyer me efikasitet tregjeve rajonale dhe evropiane. Duam të rrisim tregtinë me Francën, më shumë produkte dhe shërbime kosovare në Francë, më shumë produkte dhe dije franceze në Kosovë dhe më shumë ndërmarrje të përbashkëta që eksportojnë së bashku.

Dua të nënvizoj një element të rëndësishëm për bizneset që synojnë eksportin: eksportet nuk tatohen. Synimi ynë është të inkurajojmë prodhimin dhe rritjen drejt tregjeve të jashtme, sepse eksportet rrisin kapacitetet, ngritin standardet dhe e lidhin më fort ekonominë tonë me Evropën.

Më lejoni një reflektim të shkurtër historik për Francën dhe biznesin, sepse historia e biznesit francez është, në shumë mënyra, historia se si besimi bëhet avantazh në treg.

Franca ka ndihmuar në formësimin e tregtisë moderne jo vetëm nëpërmjet inovacionit, por edhe përmes kulturës së besueshmërisë, ku reputacioni, cilësia dhe nderi, kanë peshë. Nga traditat artizanale te industria moderne, një markë franceze ka qenë prej kohësh një premtim. Premtim për standarde, saktësi dhe krenari në mjeshtëri.

Këtë e kuptojnë edhe sipërmarrësit e Kosovës. Bizneset tona u rritën në vite të vështira, duke e mbajtur fjalën, duke e ruajtur reputacionin, duke i nderuar marrëveshjet dhe duke ndërtuar marrëdhënie që zgjasin. Në një vend ku të gjithë janë të lidhur, kredibiliteti përhapet shpejt dhe në biznes kjo nuk është mangësi, është kapital.

Nëse ka diçka që sipërmarrësit francezë dhe kosovarë e ndajnë, është kjo: suksesi nuk është vetëm të marrësh rrezik, por të jesh i besueshëm edhe pasi që e ke marrë rrezikun. Dhe, ne si Qeveri e Republikës, si shtet i Kosovës, jemi këtu pikërisht për të krijuar sigurinë si parakusht për ata që ndërmarrin rrezik për përfitimin e dyanshëm, edhe të kompanive, edhe të ekonomisë mbarë.

Dhe meqë jemi mes miqsh, në Kosovë themi se jemi shtet i ri. Por, kur vjen puna te sipërmarrja, ndonjëherë bizneset tona jo vetëm që duken, por edhe janë më të vjetra se shteti, sepse e kanë mësuar qëndrueshmërinë shumë përpara se sa ta mësonin burokracinë.

Edhe njëherë mirë se erdhët. Ju faleminderit shumë për pjesëmarrjen dhe vëmendjen dhe në Republikën e Kosovës nuk e keni vetëm një treg e platformë për investime, por edhe një Qeveri, që do të jetë përherë partner me juve.