Petkoviq i ankohet ambasadores franceze: Prishtina po përpiqet të dëbojë serbët me Ligjin për të Huajt

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se ka folur me ambasadoren franceze në Beograd, Florence Ferrari, për “rrezikun” e Ligjit për të huajt në Kosovë. Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se Petkoviq e informoi ambasadoren për “qëllimin e Prishtinës për të dëbuar serbët nga Kosova…

Lajme

04/02/2026 14:59

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se ka folur me ambasadoren franceze në Beograd, Florence Ferrari, për “rrezikun” e Ligjit për të huajt në Kosovë.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se Petkoviq e informoi ambasadoren për “qëllimin e Prishtinës për të dëbuar serbët nga Kosova përmes ligjit për të huajt dhe për të goditur institucionet kryesore serbe në krahinë”.

Petkoviq i tha diplomates franceze se institucionet arsimore dhe shëndetësore serbe në Kosovë janë shtylla e “qëndrimit dhe mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe themeli për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, shkruan Danas.

“Beogradi pret që bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkretë dhe të bindë Prishtinën të respektojë marrëveshjet e arritura deri më tani, në vend të veprimeve të njëanshme dhe të paligjshme”.

Petkoviq edhe në këtë takim ka përdorur narrativën propaganduese për “dhunë” ndaj serbëve në Kosovë.

“Prishtina pothuajse çdo ditë përdor veprime përshkallëzuese me qëllim shkaktimin e krizave dhe tensioneve në terren, duke kryer dhunë të hapur fizike institucionale dhe duke shkelur të gjitha të drejtat themelore politike dhe njerëzore të serbëve dhe përfaqësuesve të tyre politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime”, i ka thënë ambasadores franceze Petkoviq.