Hedhja e tekstilit dhe mbetjeve të tjera në kontejnerë, paralajmërohen gjoba për shkelësit

Kryeshefi ekzekutiv i KRM “Pastrimit”, Petrit Reçica, ka bërë të ditur se ekipet e ndërmarrjes kanë nisur largimin e mbeturinave inerte dhe vëllimore që, sipas tij, po hidhen padrejtësisht në kontejnerët e amvisërisë, në lagje dhe në hapësira publike në të gjitha zonat e Prishtinës. “Po i largojmë mbeturinat inerte dhe vëllimore që po hidhen…

Lajme

04/02/2026 14:39

Kryeshefi ekzekutiv i KRM “Pastrimit”, Petrit Reçica, ka bërë të ditur se ekipet e ndërmarrjes kanë nisur largimin e mbeturinave inerte dhe vëllimore që, sipas tij, po hidhen padrejtësisht në kontejnerët e amvisërisë, në lagje dhe në hapësira publike në të gjitha zonat e Prishtinës.

“Po i largojmë mbeturinat inerte dhe vëllimore që po hidhen padrejtësisht në kontejnerët e amvisërisë, në lagje dhe në hapësira publike në të gjitha lagjet e Prishtinës,” ka shkruar Reçica.

Ai ka dërguar një mesazh paralajmërues për qytetarët dhe bizneset që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme, duke theksuar se këto veprime përbëjnë shkelje ligjore.

“Të hedhësh mbetje si copa sfungjeri, lëkure, tekstili, apo mbetje nga restorante peshku dhe kasapë mishi në kontejnerët e dedikuar për amvisëri është shkelje e ligjit dhe së shpejti do të dënohen me gjobë”, ka theksuar ai.

Reçica ka shtuar se hedhja e pakontrolluar e këtyre mbeturinave ka pasoja direkte në mjedis.

“Këto veprime dëmtojnë mjedisin”, ka deklaruar kryeshefi ekzekutiv i KRM “Pastrimit”.

Në fund, ai ka falënderuar punëtorët e ndërmarrjes dhe partnerët për angazhimin e tyre të përditshëm në terren.

“Falënderim i veçantë për punëtorët e KRM ‘Pastrimi’, të cilët çdo ditë po punojnë për ta mbajtur qytetin të pastër. Po ashtu, falënderoj partnerët tanë nga ‘Gjelbër’ dhe NPB-ja për bashkëpunimin dhe mbështetjen në terren”, ka përfunduar Reçica.