​Rama – Prokurorëve: Arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi të mërkurën se arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht. Këto komente, Rama i bëri në rrjetin social “X”, si reagim ndaj ndaj deklaratës së Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë lidhur me kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave të magjistratëve, transmeton KosovaPress. “Paska dalë edhe një shoqatë…

Lajme

04/02/2026 13:36

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi të mërkurën se arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht.

Këto komente, Rama i bëri në rrjetin social “X”, si reagim ndaj ndaj deklaratës së Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë lidhur me kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave të magjistratëve, transmeton KosovaPress.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!”, shkruan Rama.

Sipas tij, “orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!”.

“A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve.

“Shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur! Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve!”, theksoi kryeministri shqiptar.

Sipas tij, “kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!”.

Ndërkaq, pyetje i ka shtruar Shoqatës së Prokurorëve lidhur me prezumimin e pafajësisë.

“Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”.