Pa fond emergjent, pa zgjidhje: Komunat të pafuqishme përballë dëmeve nga vërshimet

Pas vërshimeve që përfshinë disa rajone të Kosovës në fillim të vitit 2026, komunat kanë filluar procesin e vlerësimit të dëmeve në terren. Megjithatë, autoritetet lokale po përballen me vështirësi serioze financiare, pasi nuk kanë kapacitete buxhetore për të mbuluar kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), situata…

Lajme

04/02/2026 12:19

Pas vërshimeve që përfshinë disa rajone të Kosovës në fillim të vitit 2026, komunat kanë filluar procesin e vlerësimit të dëmeve në terren. Megjithatë, autoritetet lokale po përballen me vështirësi serioze financiare, pasi nuk kanë kapacitete buxhetore për të mbuluar kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), situata është e ngjashme me vitet e kaluara, pasi në disa komuna dëmet nga vërshimet nuk janë kompensuar plotësisht që nga viti 2016. Mungesa e një fondi emergjent dhe reagimi i pamjaftueshëm nga niveli qendror po e vështirësojnë edhe më tej situatën, shkruan lajmi.net.

Rreth 3,000 kërkesa për kompensim në nivel vendi

Të dhënat paraprake të AKK-së tregojnë se deri tani janë evidentuar rreth 3,000 kërkesa për kompensim dëmesh nga qytetarë, biznese dhe fermerë, ndërsa numri pritet të rritet, pasi procesi i aplikimit dhe verifikimit nuk ka përfunduar në shumicën e komunave.

Komunat me numrin më të madh të kërkesave janë:

  • Peja – rreth 420 kërkesa

  • Gjakova – 334 kërkesa

  • Skenderaj – 320 kërkesa

  • Fushë Kosova dhe Drenasi – mbi 300 kërkesa secila

  • Klinë – 270 kërkesa

  • Mitrovicë – 230 kërkesa

  • Malishevë – 225 kërkesa

  • Lipjan – 176 kërkesa

  • Rahovec – 142 kërkesa

  • Prizren – rreth 140–150 kërkesa

  • Suharekë – mbi 100 kërkesa

  • Ferizaj – 20 kërkesa

  • Prishtinë – 20–30 kërkesa

Komuna e Mamushës ka bërë të ditur se nuk ka pasur kërkesa për kompensim, pasi dëmet kanë qenë minimale dhe kryesisht në zona bujqësore të hapura.

Vlerësime financiare të pjesshme

Vetëm disa komuna kanë publikuar vlerësime paraprake financiare të dëmeve:

  • Peja – rreth 800,000 euro

  • Rahoveci – rreth 800,000 euro

  • Suhareka – rreth 200,000 euro

  • Ferizaj – rreth 110,000 euro

Në total, këto shifra arrijnë rreth 1.9 milion euro, por AKK thekson se kjo shumë përfaqëson vetëm një pjesë të dëmeve reale, pasi shumica e komunave janë ende në fazën e vlerësimit të detajuar.

Apel për ndërhyrje të Qeverisë

Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se barrën financiare komunat nuk mund ta përballojnë të vetme dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës krijimin e mekanizmave emergjentë financiarë dhe një fondi të posaçëm për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.

Pa mbështetje konkrete nga niveli qendror, mijëra familje, fermerë dhe biznese rrezikojnë të mbeten pa ndihmën e nevojshme për rikuperim. AKK ka njoftuar se do të vazhdojë mbledhjen e të dhënave të përditësuara nga komunat dhe do t’i përcjellë ato institucioneve qendrore për një reagim sa më të shpejtë dhe të koordinuar. /Lajmi.net/