Kompensimet për dëmet e vërshimeve, ato të vitit 2023 ende të pa ekzekutuara
Disa javë pas reshjeve të dendura që shkaktuan vërshime në zona të ndryshme të vendit, qytetarët e prekur po hyjnë sërish në një proces pritjeje për kompensimet e dëmeve. Në disa komuna procesi i aplikimit tashmë është përmbyllur dhe komunat mbesin në fazën përfundimtare të përpilimit të raportit. Por në pritje nuk mbesin vetëm të…
Lajme
Disa javë pas reshjeve të dendura që shkaktuan vërshime në zona të ndryshme të vendit, qytetarët e prekur po hyjnë sërish në një proces pritjeje për kompensimet e dëmeve.
Në disa komuna procesi i aplikimit tashmë është përmbyllur dhe komunat mbesin në fazën përfundimtare të përpilimit të raportit.
Por në pritje nuk mbesin vetëm të dëmtuarit e këtij viti.
Tri vite pas vërshimeve të vitit 2023, dhjetëra familje mbesin në pritje të kompensimeve të premtuara për dëmet e pësuara.
Familja Ademaj nga Peja sot e kësaj dite mbetet pa shtëpi të sajën ndonëse përpos dëmeve materiale, humbën edhe dy familjarë.
“Jo s’janë pagu hiç. Përgjigje si top i futbollit. Komuna thotë e ka qeveria, qeveria thotë komuna. Kishe qeveria ka me na i pagu dëmet e kështu. Tri vjet bëhen në qershor, qysh s’jemi të zhgënjyer, qysh nuk jem.. dy viktima e pa shpi pa sen, problem”, ka thënë Milaim Ademaj për RTV Dukagjini.
Në gjendje të njëjtë mbetet edhe Familja Rizvani nga Komuna e Obiliqit e cila është prekur tre herë nga vërshimet.
“I kemi paraqit, kemi dërguar fotografitë e dëmeve. Komisioni erdhi, i vlerësojshin do sene. Dëmet s’janë të paguara, asnjëra hiç. Jemi të zhgënjyer boll, kemi menduar që do vlerësohen. Dëmi është shumë i madh. Dëmet që na u kanë bo pe shoh që s’janë t’u u marrë parasysh. Minimumi dëmi 20 mijë euro ka qenë, kemi investu vazhdimisht”, ka thënë Rizvani.
Si shumë familje të dëmtuara, ai shprehet i zhgënjyer nga pritja pa rezultat.
DEK: Hajriz Rizvani – I dëmtuar nga vërshimet
“Krejt janë pa u kompensu. Nuk e di si shtet, falë zotit kemo shtet po për mbikqyrje të njerëzve nuk është sa duhet. Nuk po punojnë. Qe një muj e disa ditë jam jashtë shtëpisë, duhet të kenë më shumë interes si komuna si personat që janë të kësak fushe. Jam shumë i zhgënjyer, ishalla si ndodhë kujt”, ka shtuar Rizvani.
Sipas Ligjit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, vlerësimi i dëmeve në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera dhe përgatitja e propozimeve për rimëkëmbje nga fatkeqësitë e tilla, bëhet nga komisionet në nivel qendror dhe lokal dhe bazuar në të, qytetarët gëzojnë të drejtë kompensimi.
Për vërshimet e vitit 2023, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kishte dorëzuar në Qeveri raportin për miratim përfundimtar.
Pavarësisht interesimit të Dukagjinit, Qeveria në detyrë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit për këtë çështje dhe se kur do të kompensohen qytetarët.