Skandali zgjedhor në Kosovë: Hetime, arrestime dhe kërkesa për rivotim – Çka thonë juristët kosovarë?

Hetimet dhe arrestimet e nisura nga Prokuroria e Shtetit lidhur me dyshimet për manipulim të votave kanë nxitur reagime të ndryshme nga njohës të çështjeve juridike në Kosovë. Një operacion i gjerë policor u zhvillua me 24 janar në Prizren, ku u ndaluan 109 persona nën dyshimin për manipulim gjatë numërimit të votave në Qendrën…

Lajme

03/02/2026 20:05

Hetimet dhe arrestimet e nisura nga Prokuroria e Shtetit lidhur me dyshimet për manipulim të votave kanë nxitur reagime të ndryshme nga njohës të çështjeve juridike në Kosovë.

Një operacion i gjerë policor u zhvillua me 24 janar në Prizren, ku u ndaluan 109 persona nën dyshimin për manipulim gjatë numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit.

Të dyshuarit janë në hetimet kryesisht për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.

Avokati Xhevdet Smakiqi, në një prononcim për Lajmi.net, ka vlerësuar se shkeljet e evidentuara gjatë procesit të numërimit kanë cenuar rëndë integritetin e zgjedhjeve dhe besueshmërinë e rezultatit përfundimtar.

“Konsideroj se meqë janë evidentuar shkelje masive të devijimit të vullnetit të sovranit në procedurën teknike të numërimit për kandidatët në më shumë se gjysmën e Kosovës, kjo e gjetur e madhe e shtrirë në disa regjione fillimisht ka dëmtuar integritetin dhe besueshmërinë e krejt rezultatit tërësisht. Pra kur një mollë është e çelbur më shumë se gjysma, ajo hidhet sepse çelbja masive e bën të papërdorshme, një krahasim me kriminalizimin e numërimit pra përqindja është masive saqë vetëm rivotimi është zgjidhja”, u shpreh Smakiqi.

Sipas Smakiqit, pas këtyre zhvillimeve, rezultatet zgjedhore kanë humbur kredibilitetin në të gjitha nivelet duke vlerësuar se këto zgjedhje ishin përveç jo fer, jo demokratike por edhe të pandershme.

“Asnjë rezultat pas këtyre hetimeve nuk ka më kredibilitet as në sytë e votuesve as kandidatëve as monitoruesve ndërkombëtarë, rrjedhimisht nga ky proces zgjedhor i kriminalizuar nuk priten kurrfarë institucionesh të reja edhe nëse themelohen janë pa kredibilitet, pa legjitimitet të plotë e të pastër. Këto zgjedhje ishin përveç jo fer, jo demokratike e të pandershme, nga vendimet e fituesit me shpërndarjen e 100€ të buxhetit për kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, dolën të jenë edhe të falsifikuara në rezultate dhe ja pra Prokuroria e Shtetit në shkelje të nenit 216 të KPRK-së ka filluar hetimet e arrestimet gjithandej Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai ka propozuar edhe një zgjidhje politike dhe institucionale për tejkalimin e situatës, ai tha se zgjedhje te mbahen në maj ose qershor dhe numërimi të bëhet online live para publikut.

“Pra konsideroj se e vetmja zgjidhje e logjikshme është të konstituohet Kuvendi shpejt, të zgjidhet një Qeveri provizore me një Kryeministër nga Shoqëria Civile, të kalohet buxheti, të gjendet një emër për president të Kosovës mbi palët dhe të përsëriten zgjedhjet në maj ose qershor me disa masa tekniko-teknologjike të numërimit online live para publikut dhe numërimi të jetë elektronik, pse jo edhe votimi”.

Ndërkaq, për Lajmi.net lidhur me dyshimet për manipulim të votave ka folur edhe avokati tjetër kosovar, Ardian Bajraktari, i cili ka theksuar rëndësinë e hetimeve dhe ndëshkimit të përgjegjësve, por ka kundërshtuar anulimin e plotë të zgjedhjeve.

“Procesi hetimor dhe mbajta përgjegjës e të gjithë atyre që vërtetohet se kanë qenë të përfshirë në procese të tilla të devijimit të vullnetit politik të qytetarëve, është veprim i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Duke qenë që e vërteta ndodhej në kuti të votimit, rinumërimi e ka ruajtur integritetin e procesit, ndonëse integriteti i zgjedhjeve është cenuar bukur shumë, po ashtu rinumërimi i ka eliminuar manipulimet. Hetimet duhet kuptuar se shkojnë në funksion të adresimit të përgjegjësisë, ndryshe anulimin e tërësishëm të zgjedhjeve e shoh si veprim të panevojshëm”.

Bajraktari ka kritikuar edhe rolin e institucioneve përgjegjëse në administrimin e procesit zgjedhor, duke kritikuar KQZ-në që nuk kanë qenë në nivelin e duhur në krye të detyrës.

“Ruajtja e integritetit të zgjedhjeve është tejet e rëndësishme, kjo para së gjithash është detyrë e organeve të zbatimit të ligjit. Vlerësoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organ përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor, nuk ka qenë në nivel të detyrës. Kurse organet e drejtësisë me aq sa kemi parë deri në këtë fazë të procesit kanë qenë në nivel të detyrës”, tregoi ai.

Ai ka shtuar se është e domosdoshme një analizë e thellë e sistemit zgjedhor dhe ligjit aktual, duke shtuar se Prokuroria dhe policia të zbardhin rastet e tilla dhe kushdo që provohet se ka qenë i përfshirë në procese të tilla të marrin dënime të merituar.

“Duhet bërë një analizë të thellë sistemit zgjedhor e edhe vet ligjit të ri, vlerësoj se dy palë zgjedhje të organizuara me ligjin e ri, kishin mjaftueshëm probleme sa analizën dhe rishikimin e sistemit zgjedhorë i bëjnë në nevojshme dhe të domosdoshme. Po ashtu është e rëndësishme që organet e zbatimit të ligjit, prokurorisë dhe policisë të zbardhin rastet e tilla dhe kushdo që provohet se ka qenë i përfshirë në procese të tilla, përfshirë edhe kandidatët, të marrin dënime të merituar, vetëm kështu do të arrihet ruajtja e integritetit të zgjedhjeve si dhe besimi i publiku në këtë proces”, tha Bajraktari.

Kujtojmë se edhe Komuna e Gjilanit ka nisur sot hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor. Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu, ka konfirmuar për lajmi.net se tashmë ka filluar intervistimi i personave të dyshuar për manipulim të rezultateve zgjedhore./Lajmi.net/