Tentuan t’i jepnin ryshfet policit në pikë kufitare në Vërmicë – ngritet aktakuzë ndaj dy personave
Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin për përfshirje në marrje dhe dhënie të ryshfetit. Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K. akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa i pandehuri B.C. për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin për përfshirje në marrje dhe dhënie të ryshfetit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K. akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa i pandehuri B.C. për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton lajmi.net
Prokuroria bën të ditur se rasti ka ndodhur më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare të Vërmicës. Sipas hetimeve, A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim përfitimi pasuror personal. Duke shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe duke qenë i veshur me uniformë policore, ai i ka mundësuar B.C.-së hyrjen në Kosovë, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja për mungesë dokumentacioni.
Pas pranimit të parave, A.K. dyshohet se e ka kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin me veturën e tij, së bashku me B.C.-në, duke e dërguar atë në Prizren.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Gjithashtu, është kërkuar që ndaj A.K.-së, përveç dënimit kryesor, të shqiptohet edhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik./Lajmi.net/