Ndalim 48-orësh për personin që dyshohet se kërcënoi gazetarë në ambientet e gjykatës në Viti
Një person është ndaluar nga autoritetet e rendit nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarëve, pas një incidenti të ndodhur në ambientet e gjykatës në Viti. Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se është ndaluar i dyshuari me inicialet A.I., për shkak të dyshimit se…
Lajme
Një person është ndaluar nga autoritetet e rendit nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarëve, pas një incidenti të ndodhur në ambientet e gjykatës në Viti.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se është ndaluar i dyshuari me inicialet A.I., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 30 janar 2026 rreth orës 14:30, në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti. Pas përfundimit të një seance gjyqësore që po mbahej në ambientet e gjykatës në Viti, i dyshuari A.I. dyshohet se iu është drejtuar në mënyrë kërcënuese ekipit të Gazetës Nacionale dhe monitoruesit të organizatës “Betimi për Drejtësi”, përmes veprimeve konkludente, të cilat sipas prokurorisë janë dokumentuar edhe përmes video-incizimeve të kamerave.
Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan janë ndërmarrë veprime hetimore, ndërsa pasi i dyshuari kishte qenë i paarritshëm për organet e rendit, ai ishte shpallur në kërkim policor. Më 3 shkurt 2026, i njëjti është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Kanosje”.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të vendoset për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.
Njoftimi i plotë nga Prokuroria Themelore në Gjilan:
Ndalohet personi i dyshuar për kanosje ndaj gazetarëve
Gjilan, 03 shkurt 2026 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i përgjithshëm, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet A.I, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Kanosje nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dyshohet se më datën 30 janar 2026, rreth orës 14:30 minuta në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore që ishte duke u zhvilluar në ambientet e Gjykatës në Viti, i dyshuari A.I iu drejtohet ekipit të Gazetës Nacionale dhe monitoruesit të Betimi për drejtësi, në formë kërcënuese, me veprime konkludente, siç dokumentohen edhe nëpërmjet videoingjizimit të kamerës.
Pas Autorizimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, për veprime hetimore, me që i dyshuari ishte i paarritshëm, i njëjti ishte vendosur në kërkim policor dhe me datë 03.02.2026 është arrestuar, ku pas intervistimit të tij, me vendim të Prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë, për veprën penale Kanosje nga neni 181 i Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan brenda afateve ligjore, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale do të vendos për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit./lajmi.net/