Arsenal lufte në bodrum: Policia zbulon armë, granatë dhe qindra fishekë në veri të Mitrovicës
Një sasi e konsiderueshme armësh, municioni dhe pajisjesh të dyshimta ushtarake është zbuluar sot në veri të Mitrovicës, pas informacioneve të siguruara nga qytetarët. Policia e Kosovës njoftoi se ka pranuar të dhëna se në bodrumin e një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki” mund të kishte mjete ilegale. Pas ndërhyrjes së menjëhershme dhe kontrollit në…
Lajme
Një sasi e konsiderueshme armësh, municioni dhe pajisjesh të dyshimta ushtarake është zbuluar sot në veri të Mitrovicës, pas informacioneve të siguruara nga qytetarët.
Policia e Kosovës njoftoi se ka pranuar të dhëna se në bodrumin e një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki” mund të kishte mjete ilegale. Pas ndërhyrjes së menjëhershme dhe kontrollit në bodrumin kolektiv, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një arsenal të tërë, transmeton lajmi.net.
Sipas policisë, në vendngjarje janë konfiskuar tre armë të gjata, një tytë vazhduese dhe një kondak për armë të gjatë, si dhe 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu janë gjetur 14 karikatorë dhe 10 krehër për fishekë, një granatë dore tymuese dhe dy antiplumba ushtarakë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe katër mostra të mundshme të ADN-së, dy xhaketa ushtarake, një bluzë uniforme ushtarake dhe një palë pantallona ushtarake, si dhe mbështjellës me material tekstili dhe shirita ngjitës.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime intensive.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo aktivitet i dyshimtë të raportohet në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor, duke theksuar se siguria arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë.
Njoftimi i plotë: