Basha: Përkujtimi i 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës, thirrje për drejtësi dhe zotim
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përkujtuar 26 vjetorin e masakrës ndaj shqiptarëve të veriut të Mitrovicës dhe dëbimin e dhjetëra mijëra qytetarëve nga ajo anë. Basha kujtoi se në veri të Mitrovicës më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 u krye një akt i rëndë dhune ndaj qytetarëve shqiptarë…
Lajme
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përkujtuar 26 vjetorin e masakrës ndaj shqiptarëve të veriut të Mitrovicës dhe dëbimin e dhjetëra mijëra qytetarëve nga ajo anë.
Basha kujtoi se në veri të Mitrovicës më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 u krye një akt i rëndë dhune ndaj qytetarëve shqiptarë të paarmatosur, një fushatë e organizuar frike dhe dëbimi që synonte ndryshimin me forcë të realitetit etnik në atë pjesë të qytetit.
“Strukturat kriminale serbe, të njohura si ‘Rojat e Urës’, sulmuan familje të pafajshme, duke vrarë 10 shqiptarë, mes tyre një fëmijë 13-vjeçar dhe një grua 65-vjeçare. Dhjetëra të tjerë u plagosën e u torturuan, ndërsa mbi 11 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, duke lënë pas jetët dhe pronat e tyre. Këto krime u kryen në sy të pranisë ndërkombëtare, ndërsa pasojat e tyre ndryshuan thellësisht strukturën demografike dhe jetën shoqërore të veriut të Mitrovicës”, ka thënë Basha.
Kreu i Kuvendit ka potencuar se sot pas 26 vitesh veriu i vendit nuk është më hapësira e pasigurisë dhe e sundimit të bandave që ishte dikur.
“Shtrirja e sundimit të ligjit, veprimi i institucioneve të sigurisë dhe çmontimi i strukturave kriminale kanë krijuar një realitet të ri. Rendi dhe siguria janë forcuar, ndërsa kushtet për jetë normale po përmirësohen për të gjithë qytetarët të të gjitha komuniteve. Me kthimin e sigurisë po kthehen edhe familjet në shtëpitë dhe pronat e tyre të uzurpuara dikur, duke rifituar të drejtën për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre”, ka potencuar kryeparlamentari, duke shtuar se pa drejtësi të plotë për viktimat, pa përgjegjësi për krimet, plagët e asaj kohe nuk mbyllen plotësisht.
Përkujtimi i 3 dhe 4 shkurtit, sipas kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm kthim pas në histori, por thirrje për drejtësi dhe zotim që shteti ynë të mos lejojë kurrë më që qytetarët e tij të përballen me dhunë dhe dëbim për shkak të përkatësisë së tyre etnike.