425 euro vetëm në letër? Punëtorët teknikë në Klinë pa rritje page, Azemi paralajmëron ndalim të punës
Punëtorët teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë nuk janë paguar në përputhje me vendimin e qeverisë për pagën minimale, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar për lajmi.net se kompanisë që ka marrëdhënie kontraktuale me…
Lajme
Punëtorët teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë nuk janë paguar në përputhje me vendimin e qeverisë për pagën minimale, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar për lajmi.net se kompanisë që ka marrëdhënie kontraktuale me komunën i është dhënë afat deri në fund të javës për të rritur pagën minimale në 425 euro ose për të stimuluar punëtorët. Në të kundërtën, sipas tij, punëtorët teknikë do të ndalojnë punën, pasi një veprim i tillë është i lejuar edhe nga aspekti ligjor.
Azemi ka theksuar se komunat kanë qenë të njoftuara me kohë se vendimi i qeverisë për pagën minimale hyn në fuqi më 1 janar 2026 dhe se kanë pasur obligim t’i ftojnë operatorët ekonomikë për të bërë kalkulime shtesë buxhetore, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i këtij vendimi.
“Është ditur që çdo komunë që ka marrëdhënie kontraktuale ka qenë në dijeni se vendimi i qeverisë hyn në fuqi më 1 janar 2026 dhe ka pasur obligim t’i thërrasë operatorët e vet për të bërë kalkulime shtesë se sa mjete iu duhen për t’u respektuar ky vendim”, ka deklaruar Azemi.
Tutje, sipas tij, përgjegjësi për moszbatimin e vendimit mban edhe qeveria, përkatësisht ministritë përkatëse, përfshirë Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Shëndetësisë, të cilat, siç ka thënë ai, duhet të subvencionojnë operatorët që paguajnë pagë minimale dhe të monitorojnë respektimin e vendimit që vetë e kanë marrë.
“Unë besoj që edhe qeveria e ka një pjesë të detyrës së saj që t’i subvencionojë të gjithë ata operatorë ku ka pagë minimale, duke përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministritë e tjera, për të parë se sa po respektohet vendimi që vetë e kanë marrë”, ka thënë mes tjerash kryetari i SPTSP-së.
Ai ka shtuar se vendimi për pagën minimale është vendim i qeverisë dhe jo i sindikatës, duke garantuar se të gjithë punëtorët anëtarë të Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, të cilët nuk e kanë marrë pagën e rritur për muajin janar, do ta marrin atë, pasi sindikata nuk do të ndalet në kërkesat e saj.
“Ne nuk jemi përgjegjës për moskryerjen e detyrave nga ata që janë paguar për këtë, por megjithatë garantoj që çdo punëtor anëtar i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, i cili nuk e ka marrë pagën me rritje për muajin janar, do ta marrë atë, sepse ne nuk do të ndalemi”, theksoi Azemi. /Lajmi.net/