Komuna e Mitrovicës së Jugut paralajmëron aksion kundër zënies së hapësirave publike

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se nga dita e enjte, duke filluar nga ora 09:00, do të nisë një aksion për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit. Sipas njoftimit zyrtar, aksioni do të përfshijë largimin e të gjitha shtyllave metalike anti-parking (kunjave) që janë vendosur pa…

Lajme

03/02/2026 09:43

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se nga dita e enjte, duke filluar nga ora 09:00, do të nisë një aksion për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni do të përfshijë largimin e të gjitha shtyllave metalike anti-parking (kunjave) që janë vendosur pa leje nga organet kompetente.

Drejtoria e Inspekcionit ka bërë të ditur se të gjithë subjektet afariste dhe personat fizikë të cilët kanë vendosur pengesa të tilla pa autorizim janë të obliguar që deri më 5 shkurt 2026 t’i largojnë vetë ato nga hapësirat publike.

“Në rast të mosrespektimit të këtij afati, inspektorët komunalë do të ndërmarrin veprime ligjore ndëshkuese, ndërsa pengesat do të hiqen me forcë nga institucionet komunale”, thuhet në njoftim.

Qëllimi i këtij aksioni, sipas komunës, është lirimi i hapësirave publike dhe parkingjeve në mënyrë që ato të jenë në shërbim të qytetarëve dhe banorëve të zonave përkatëse./Lajmi.net/