ATK paralajmëron inspektime në gjithë Kosovën për bizneset e paregjistruara

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar edhe një herë të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore. Në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK ka njoftuar se do të intensifikojë…

Lajme

02/02/2026 21:19

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar edhe një herë të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore.

Në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK ka njoftuar se do të intensifikojë inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

ATK u ka bërë thirrje të gjithë personave që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), para se të identifikohen nga inspektorët tatimorë.

Sipas ATK-së, në rast se gjatë inspektimeve identifikohen aktivitete të paregjistruara, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të ndërmerren pa përjashtim masa ndëshkuese, përfshirë regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe pajisjen me numër fiskal, si dhe aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore.

Administrata Tatimore thekson se regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në krijimin e një konkurrence të drejtë në treg. Po ashtu, ATK ka kërkuar nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, duke theksuar se mospërditësimi i informatave përbën shkelje ligjore.

ATK ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë qytetarët./kp