“E ka qit fotografinë e Thaçit më ka than shkele, i kam than vram” – Ish e burgosura politike rrëfen torturat nga gardianja serbe Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur sot seanca fillestare ndaj Nadica Cvetkoviq, e cila akuzohet se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës dhe paralelen në Lipjan, ka kryer krime lufte. Në këtë seancë, ajo është deklaruar e pafajshme. Pas seancës, një ish e burgosur politike ka rrefyer për tmerret e shkaktuara nga…

Lajme

02/02/2026 15:26

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur sot seanca fillestare ndaj Nadica Cvetkoviq, e cila akuzohet se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës dhe paralelen në Lipjan, ka kryer krime lufte.

Në këtë seancë, ajo është deklaruar e pafajshme.

Pas seancës, një ish e burgosur politike ka rrefyer për tmerret e shkaktuara nga vetë Cvetkoviq.

“Të gjithë janë sjell keq, në mënyrën më të tmerrshme po kjo ka qenë më kriminelja. E mbaj mend që çdo muaj na ka torturu, e lshojke magnetofonin me zë të lartë që mos me u dëgju britmat. Ka përdor dhunë të vazhdueshme ndaj meje, kam qenë prej femrave më të torturume në burgjet serbe edhe fizikisht edhe psiqikisht. Kjo më ka qu në podrum, ka qenë një dhomë aty me mjete, lloj lloj makina të ndryshme edhe më ka thënë ky është vendi ku kemi gri shqiptar edhe ti në këto maqina sot ki me depërtu”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu ka thënë se e njëjta e kishte shtyrë ta shkelte fotografinë e Hashim Thaçit, por që thotë se të njëjtën nuk e ka bërë.

“Më ka zhvesh, qysh më ka ba nana, e ka qit fotografinë e Hashim Thaçit në tokë, edhe më kanë torturu sa kanë mujt, derisa s’kam mujt me i përballu. Është mundu me më shti me e shkel fotografinë e Hashim Thaçit edhe nuk e kam shkel. Në fund i kam thënë, nxirre revolen vram se nuk e shkeli se është vllau jem”, ka shtuar ajo.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cvetkoviq të cilën e akuzon për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Cvetkviq akuzohet se në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës. Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.