Ish-gardianja Cvetkoviq deklarohet e pafajshme për akuzën se i torturoi në mënyrë çnjerëzore të burgosurat shqiptare
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e akuzuara Nadica Cvetkoviq u deklarua e pafajshme lidhur me akuzën se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës dhe paralelen në Lipjan, ka kryer krime lufte. Deklarimin rreth fajësisë, Cvetkoviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi…
Lajme
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e akuzuara Nadica Cvetkoviq u deklarua e pafajshme lidhur me akuzën se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës dhe paralelen në Lipjan, ka kryer krime lufte.
Deklarimin rreth fajësisë, Cvetkoviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska njoftoi të akuzuarën dhe mbrojtësen e saj, avokaten Jovana Filipoviq se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cvetkoviq të cilën e akuzon për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Cvetkviq akuzohet se në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës. Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.