Ndërhyrje e rrallë në QKUK: Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, realizohet me sukses operacioni për Sindromën Eagle tek një 61 vjeçar
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK është kryer për herë të parë me sukses ndërhyrja kirurgjikale për Sindromën eagle. Në këtë njoftim thuhet se Sindroma Eagle është një patologji e rrallë dhe komplekse, dhe shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës…
Lajme
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK është kryer për herë të parë me sukses ndërhyrja kirurgjikale për Sindromën eagle.
Në këtë njoftim thuhet se Sindroma Eagle është një patologji e rrallë dhe komplekse, dhe shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës dhe manifestohet me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje dhe në raste të caktuara, me çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide.
“Pacienti M. D., mashkull, i lindur më 1964, paraqiste simptoma klinike të vazhdueshme. Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal. Duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, u vendos që ndërhyrja të realizohej në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila mundëson ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore”, ka njoftuar ShSKUK.
Ata kanë thënë se ndërhyrja kirurgjikale është realizuar me sukses dhe pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm të simptomave. Sipas njoftimit, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet për trajtim shtëpiak.
“Ky intervenim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale për Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe një dëshmi të rritjes së kapaciteteve institucionale të QKUK-së për trajtimin e patologjive të rralla dhe komplekse, në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore”, thuhet në njoftim.
Ekipi që ka realizuar këtë operacion janë:
Ekipi i specializuar kirurgjikal në përbërje:
Dr. Hajriz Rudari
Dr. Lulzim Vokrri
Dr. Rame Gashani
Dr. Art Jaha
Ndërsa ekipi i anestezionit përbëhej nga:
Dr. Alban Gjonbalaj
Dr. Zanita Ismajli
Instrumentare: Antigona Tahiri
Postimi i plotë: