Ditë tragjike në Turqi, dy aksidente rrugore, 16 të vdekur dhe 30 të plagosur
Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën si pasojë e dy aksidenteve të rënda rrugore në Turqi, njoftuan sot autoritetet turke. Njëri prej aksidenteve përfshiu një autobus dhe ndodhi në Antalia, një nga qytetet më të mëdha turistike në jug të vendit. “Shoferi i autobusit fatkeqësisht nuk i mbijetoi, pavarësisht përpjekjeve të…
Bota
Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën si pasojë e dy aksidenteve të rënda rrugore në Turqi, njoftuan sot autoritetet turke. Njëri prej aksidenteve përfshiu një autobus dhe ndodhi në Antalia, një nga qytetet më të mëdha turistike në jug të vendit.
“Shoferi i autobusit fatkeqësisht nuk i mbijetoi, pavarësisht përpjekjeve të bëra. Si pasojë, numri i viktimave ka shkuar në nëntë,” deklaroi guvernatori i Antalias, Hulusi Şahin. Bilanci i mëparshëm fliste për tetë të vdekur. Në total, 25 persona u plagosën.
Autobusi, i cili transportonte 34 pasagjerë nga Rodosto (Tekirdağ) drejt Antalias, u përmbys sot në mëngjes rreth orës 10:20 në një autostradë që ishte bërë e rrëshqitshme për shkak të reshjeve të shiut, sqaroi guvernatori.
“Gjithashtu kishte mjegull. Bëhet fjalë për një kryqëzim ku nuk duhet lëvizur me shpejtësi të madhe, por duket se autobusi ka hyrë me shpejtësi të lartë,” shtoi ai.
Nga 25 të plagosurit, shtatë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Autoritetet nuk sqaruan nëse mes viktimave ka shtetas të huaj.
Ndërkohë, shtatë persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën në një aksident tjetër rrugor në provincën Burdur, në autostradën Antalia–Isparta, në jug të Turqisë, raportoi agjencia private e lajmeve DHA.
Antalia, një resort bregdetar në Mesdhe, është një nga destinacionet më të frekuentuara turistike, duke pritur gjatë gjithë vitit vizitorë vendas dhe të huaj.