Qytetarët nën presion: KESCO lidh pagën minimale me rritjen e çmimit të energjisë
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) e ka përfshirë rritjen e pagës minimale në Kosovë si një nga arsyet që, sipas saj, ndikojnë në kërkesën për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 21.4 për qind për vitin 2026. Në aplikimin e dorëzuar pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), kompania argumenton se, përveç blerjes dhe…
Lajme
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) e ka përfshirë rritjen e pagës minimale në Kosovë si një nga arsyet që, sipas saj, ndikojnë në kërkesën për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 21.4 për qind për vitin 2026.
Në aplikimin e dorëzuar pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), kompania argumenton se, përveç blerjes dhe furnizimit me energji, ka edhe një varg detyrimesh operative që lidhen me shërbimet ndaj konsumatorëve. Këto përfshijnë faturimin, shërbimin ndaj klientëve, përmbushjen e obligimeve ligjore dhe respektimin e standardeve të furnizimit, transmeton lajmi.net.
Sipas dokumenteve, vendimi i Qeverisë për rritjen graduale të pagës minimale – fillimisht në 425 euro nga janari 2026 dhe më pas në 500 euro nga korriku i po atij viti – pritet të rrisë shpenzimet operative të Furnizuesit me Shërbim Universal. KESCO thekson se ky vendim është i detyrueshëm dhe jashtë ndikimit të kompanisë, por sjell kosto shtesë përmes shërbimeve që ofrohen nga kompani të treta.
Në veçanti përmenden sektorë si sigurimi fizik i objekteve, pastrimi, mirëmbajtja dhe shërbimet teknike mbështetëse, të cilat konsiderohen thelbësore për funksionimin e përditshëm të furnizuesit.
Vendimi për rritjen e pagës minimale ishte miratuar nga Qeveria në fund të tetorit, me paralajmërimin se do të zbatohej në dy faza gjatë vitit 2026.
Ndërkohë, konsumatorët në Kosovë janë përballur me disa rritje të çmimit të energjisë në vitet e fundit. Vetëm në vitin 2023 tarifat u ngritën për mbi 15 për qind, ndërsa një tjetër rritje u aplikua edhe në vitin 2025. Kërkesa e fundit e KESCO-s pritet të shqyrtohet nga ZRRE në kuadër të procesit të rregullt tarifor./lajmi.net/