Qebe e qirinj si “dhuratë” për Kurtin, rinia e PDK-së me aksion simbolik për rrymën para Qeverisë

Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar mbrëmjen e së premtes një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj situatës me furnizimin me energji elektrike dhe paralajmërimeve për rritje të reja të çmimit të rrymës. Gjatë aksionit, ata vendosën një batanije dhe disa qirinj para objektit të Qeverisë, si…

Lajme

31/01/2026 18:31

Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar mbrëmjen e së premtes një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj situatës me furnizimin me energji elektrike dhe paralajmërimeve për rritje të reja të çmimit të rrymës.

Gjatë aksionit, ata vendosën një batanije dhe disa qirinj para objektit të Qeverisë, si mesazh simbolik për, siç thanë, gjendjen me të cilën po përballen qytetarët gjatë sezonit të dimrit, transmeton lajmi.net.

Sekretari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Altin Gjata, deklaroi se ky veprim synon të pasqyrojë vështirësitë reale të familjeve kosovare, të cilat sipas tij po përballen me fatura gjithnjë e më të larta të energjisë elektrike. Ai tha se shumë qytetarë po detyrohen të zgjedhin mes ngrohjes dhe nevojave të tjera bazë.

Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me kushtet atmosferike, por me menaxhimin e sektorit të energjisë ndër vite. Gjata kritikoi Qeverinë për, siç u shpreh, mungesë investimesh të mjaftueshme në prodhimin vendor dhe energjinë e pastër, duke shtuar se kjo ka rritur varësinë nga importi.

Ai shtoi se, pavarësisht premtimeve për modernizim të kapaciteteve energjetike, situata aktuale tregon për vështirësi të vazhdueshme në sigurimin e furnizimit stabil.

Në përmbyllje të aksionit, përfaqësuesit e rinisë së PDK-së theksuan se energjia elektrike është shërbim bazë për qytetarët dhe kërkuan, sipas tyre, zgjidhje konkrete për përmirësimin e gjendjes. Mesazhi i tyre simbolik u shoqërua me thirrje publike drejtuar institucioneve për më shumë përgjegjësi në trajtimin e krizës energjetike.

Komunikata e plotë: 

Qebe e qirinj si “dhuratë” për Kurtin, rinia e PDK-së me aksion simbolik për rrymën para Qeverisë
Prishtinë, 31 janar — Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur sonte një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste kundër mungesës së energjisë elektrike dhe paralajmërimit për rritjen e radhës së çmimit të saj.
Gjatë këtij aksioni, Rinia Demokratike e Kosovës ka vendosur para ndërtesës së Qeverisë një batanije dhe disa qirinj, si simbol i pakënaqësisë ndaj deklaratave provokuese dhe të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë, i cili ka fajësuar qytetarët për krizën energjetike, duke pretenduar se “po ngrohen më shumë sesa që duhet”.
Në deklaratën e tij për media, sekretari i RDK-së, Altin Gjata, theksoi se ky aksion nuk ka të bëjë me statistika apo propagandë, por me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Kosovës.
Ai theksoi se kriza energjetike dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme po i detyrojnë familjet kosovare të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, ndërsa studentët detyrohen të mësojnë në terr. Sipas tij, pyetja që sot shtrohet nga qytetarët është e thjeshtë dhe e drejtë: edhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike?
Gjata kritikoi ashpër Qeverinë për bllokimin e qindra milionë eurove investime në energji të pastër dhe për dështimin në sigurimin e prodhimit vendor të mjaftueshëm, duke theksuar se kjo nuk është krizë dimri, por krizë menaxhimi dhe papërgjegjësie.
Ai shtoi se, ndonëse u premtua modernizim historik i KEK-ut, sot ky institucion prodhon më pak, importet janë rritur dhe përfitimet po shkojnë tek të preferuarit e pushtetit.
“Faturën e kësaj krize po e paguajnë familjet tona dhe çdo qytetar i Kosovës”, u shpreh Gjata, duke shtuar se batanija dhe qirinjtë e vendosur para Qeverisë janë një “dhuratë” simbolike për kryeministrin në detyrë, i cili nuk e ndien barrën e faturave mujore dhe të ngrohjes së familjes.
Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës theksoi se energjia elektrike është shërbim bazë dhe jo biznes për të lidhurit me pushtetin. Ata shtuan se qytetarët meritojnë dritë, ngrohje e siguri dhe se nuk do të heshtin përballë kësaj gjendjeje.
“Edhe sa, Albin? Edhe sa përqind do të rritet rryma?”, ishte mesazhi përmbyllës i këtij aksioni simbolik.

/lajmi.net/