Lajçak përmendet në dosjen e Epstein, jep dorëheqje nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka pranuar dorëheqjen e këshilltarit të tij për çështje diplomatike, Miroslav Lajçak, pasi emri i këtij të fundit u përmend në dokumente që lidhen me financierin e ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein. Sipas mediave sllovake, Lajçak kishte shprehur gatishmërinë për t’u larguar nga detyra edhe më herët, ndërsa vendimi i Ficos…

Lajme

31/01/2026 18:15

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka pranuar dorëheqjen e këshilltarit të tij për çështje diplomatike, Miroslav Lajçak, pasi emri i këtij të fundit u përmend në dokumente që lidhen me financierin e ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein.

Sipas mediave sllovake, Lajçak kishte shprehur gatishmërinë për t’u larguar nga detyra edhe më herët, ndërsa vendimi i Ficos erdhi pavarësisht se ish-këshilltari i tij i ka mohuar pretendimet që lidhen me përmbajtjen e dokumenteve, transmeton lajmi.net.

Duke folur për situatën, Fico kritikoi ashpër reagimet publike dhe politike, duke thënë se prej kohësh nuk kishte parë kaq shumë hipokrizi. Ai shtoi se rasti po shfrytëzohet për ta goditur politikisht.

“Miro e ka treguar edhe një herë veten si një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit, megjithëse të gjithë, jo vetëm unë, po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme”, tha Fico.

Presioni për dorëheqjen e Lajçakut erdhi si nga përfaqësues të opozitës, ashtu edhe nga disa figura brenda koalicionit qeverisës, të cilët kërkuan largimin e tij pas raportimeve për komunikime të mëhershme me Epsteinin.

Në reagimin e tij publik, Lajçak tha se do t’ia vinte mandatin në dispozicion kryeministrit dhe dënoi krimet e kryera nga Epstein. Ai theksoi se, po të kishte qenë në dijeni të plotë për veprimtarinë kriminale të tij në të kaluarën, nuk do të kishte pasur asnjë kontakt.

Po ashtu, Lajçak deklaroi se nuk mund të vërtetojë autenticitetin e të gjitha materialeve të publikuara, duke shtuar se nuk i kujtohen komunikime të tilla pas kaq shumë vitesh.

Pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, ai theksoi se nuk i janë ofruar kurrë favore seksuale dhe se nuk ka marrë pjesë në aktivitete që lidhen me Epstein apo me personat e përmendur në dosjet përkatëse./lajmi.net/