Kryeziu sqaron vendimin e Kushtetueses për nënkryetarin nga komuniteti serb: E drejta e propozimit i takon Listës Serbe, jo detyrimi për votim

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar lidhur me interpretimet publike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Kryeziu ka sqaruar se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që e drejta e propozimit për nënkryetar i takon Listës Serbe, për shkak se ajo ka numrin më të…

Lajme

30/01/2026 17:03

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar lidhur me interpretimet publike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Kryeziu ka sqaruar se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që e drejta e propozimit për nënkryetar i takon Listës Serbe, për shkak se ajo ka numrin më të madh të deputetëve nga komuniteti serb, raporton lajmi.net

Megjithatë, ai thekson se Gjykata nuk ka thënë se deputetët janë të detyruar ta votojnë kandidatin e propozuar nga kjo parti.

“Gjykata nuk ka urdhëruar deputetët të votojnë kandidatin e Listës Serbe. Nuk e ka thënë këtë dhe as nuk mund ta thotë”, ka shkruar Kryeziu.

Postimi i plotë:

Çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese?
Gjykata ka thënë se e drejta e propozimit për nënkryetar nga komuniteti serb i takon Listës Serbe, sepse ajo ka numrin më të madh të deputetëve serbë.
Çfarë NUK ka thënë Gjykata Kushtetuese?
Gjykata nuk ka thënë që deputetët duhet ta votojnë patjetër kandidatin e Listës Serbe.
Prandaj, mos e mashtroni opinionin publik me pretendimin se Gjykata i ka urdhëruar deputetët të votojnë kandidatin e Listës Serbe.
Nuk e ka thënë këtë dhe as nuk mund ta thotë.
Respektimi i vendimit të Gjykatës nënkupton vetëm këtë:
Kryetari i Kuvendit mund të hedhë në votim vetëm kandidatë të propozuar nga Lista Serbe.
Kaq. Asgjë më shumë.
Nëse deputetët votojnë pro ose kundër, kjo nuk ka asnjë lidhje me respektimin apo mosrespektimin e vendimit të Gjykatës.
Nëse ndodh ndonjë bllokadë gjatë konstituimit të Kuvendit, ajo do të jetë puro politike, jo juridike./Lajmi.net/