21% apo më tepër? ZRRE pranon aplikimet e KOSTT, KEDS dhe KESCO për rritjen e çmimit të rrymës

Qytetarët e Kosovës po përballen vazhdimisht me ngritjen e çmimeve, gjë e cila ua ka vështirësuar jetën. Por ngritje të vazhdueshme të çmimit pati pikërisht në faturat e rrymës. Katër herë radhazi deri më tani është ngritur çmimi i energjisë-elektrike, por kjo s’është e tëra, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike veçse ka pranuar…

Lajme

30/01/2026 14:40

Qytetarët e Kosovës po përballen vazhdimisht me ngritjen e çmimeve, gjë e cila ua ka vështirësuar jetën.

Por ngritje të vazhdueshme të çmimit pati pikërisht në faturat e rrymës. Katër herë radhazi deri më tani është ngritur çmimi i energjisë-elektrike, por kjo s’është e tëra, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike veçse ka pranuar aplikimet për të hyrat e lejuara maksimale, ku tre operatorë energjetikë në Kosovë kanë kërkuar rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.

Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), që kanë dërguar këto kërkesa në Zyrën e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE).

E në lidhje me këtë çështje, në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga ZRRE kanë konfirmuar se kanë pranuar aplikacionet për të hyrat e lejuara maksimale nga operatorët e licensuar si: KOSTT, KEDS dhe KESCO.

“ZRRE konfirmon se ka pranuar aplikacionet për të hyrat e lejuara maksimale nga operatorët e licencuar KOSTT, KEDS dhe KESCO, në kuadër të procesit të rregullt tarifor për vitin 2026. Të gjitha aplikacionet e dorëzuara janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut”,theksohet në përgjigje.

Gjithashtu u tha se vlerësimi i këtyre aplikacioneve është në proces dhe po kryhet nga ekspertët e ZRRE-së, përmes analizës së detajuar teknike dhe financiare, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi.

“Pas përfundimit të vlerësimit, raportet përkatëse dhe propozimet tarifore do të publikohen dhe do t’i nënshtrohen procedurave të mëtejme, përfshirë konsultimin publik, para marrjes së çdo vendimi final”, bëri të ditur ZRRE.

Ndërsa nga KESCO deklaruan se kanë dorëzuar aplikimin tarifor, siç thonë në përputhje me kalendarin rregullator dhe me metodologjinë e miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Në këtë fazë, aplikimi nuk përfaqëson një rezultat përfundimtar tarifor, por një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara, të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët. Si furnizues, kostot tona janë në masë të madhe reflektim i kostove që krijohen përgjatë gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, kushtet e tregut dhe obligimet rregullatorë”,thuhet në përgjigjen e dhënë për lajmin nga Zyra për Informim e KESCO-s.

Po ashtu sipas tyre është e rëndësishme të theksohet se procesi i shqyrtimit tarifor është gjithëpërfshirës dhe përfshin vlerësimin e aplikimeve të dorëzuara nga të gjithë të licencuarit në sektor.

Por nga KESCO nuk kanë konfirmuar shifrën, apo përqindjen që kanë kërkuar në këtë rast.

“Meqenëse këto aplikime janë ende në proces shqyrtimi dhe nuk janë konsoliduar nga rregullatori, është herët të komentohet mbi ndonjë shifër konkrete apo mbi nivelin e mundshëm të ndryshimeve tarifore”, u theksua tutje.

KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.8 milionë euro.

Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.

Si arsye për rritjen e kërkuar nga KESCO përmenden shpenzimet operative, kostoja e importit të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit gjatë sezonit dimëror, si dhe rritja e pagave të punëtorëve.

Gjithashtu nga KESCO thanë se “bazuar në vlerësimet preliminare dhe në të dhënat aktualisht të disponueshme, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është paraqitur në vlerë të përgjithshme prej rreth 528.8 milionë euro. Kjo shumë përfshin edhe rreth 49.5 milionë euro që lidhen me tejkalime të kostove të shkaktuara gjatë vitit 2025, të cilat janë rezultat i kushteve të tregut dhe faktorëve jashtë kontrollit të furnizuesit”.

“Është e rëndësishme të theksohet se kjo vlerë përfaqëson një kërkesë për njohje të kostove dhe jo një vendim përfundimtar tarifor, ndërsa çdo vlerësim dhe miratim përfundimtar do të bëhet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në kuadër të procesit rregullator dhe konsultimit publik. Dhe vetëm pas vendimit përfundimtar nga Rregullatori për kostot e arsyeshme vazhdon procesi për reflektim tarifor”.
ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

E në bazë të tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë gjatë një muaji, paguajnë 9.05 centë për kilovatë, kurse ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovatë.

Ndërsa në kuadër të tarifave të lira që shfrytëzohen natën saktësisht nga ora 23:00 deri në ora 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovatë paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovat. E ata që shpenzojnë më shumë paguajnë 7.28 centë për kilovatë./Lajmi.net/