Eksperti i energjisë: Rritja 21% e rrymës s’është vendim, kërkohet transparencë nga ZRRE para çdo ndryshimi të mundshëm të tarifave
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë KESCO ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin tarifor për vitin 2026 pranë ZRRE, duke theksuar se në këtë fazë nuk bëhet fjalë për vendim përfundimtar për çmimin e rrymës. Në një përgjigje për Lajmi.net, KESCO bën të ditur se aplikimi është dorëzuar në përputhje me kalendarin rregullator…
Lajme
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë KESCO ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin tarifor për vitin 2026 pranë ZRRE, duke theksuar se në këtë fazë nuk bëhet fjalë për vendim përfundimtar për çmimin e rrymës.
Në një përgjigje për Lajmi.net, KESCO bën të ditur se aplikimi është dorëzuar në përputhje me kalendarin rregullator dhe metodologjinë e miratuar nga ZRRE.
Sipas kompanisë, aplikimi paraqet një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara, të cilat konsiderohen të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët.
Ndërkaq, për Lajmi.net ka folur edhe eksperti i energjisë, Lulzim Syla ku ka komentuar kërkesën e KESCO-s për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 21 për qind, duke theksuar se kjo duhet parë vetëm si propozim dhe jo si vendim i kryer.

Sipas Sylës, përgjegjësia për vendimin final i takon Zyrës së Rregullatorit për Energji, ndërsa transparenca ndaj publikut është thelbësore para çdo ndryshimi të mundshëm të tarifave.
“Sa i përket çështjes së kërkesës për shtrenjtimin e energjisë prej 21 për qind – kjo është vetëm një që duhet ta trajtojmë si kërkesë vetëm nga ana e KESCO-s por jo si vendim finale si të aprovuar për shkak se ZRRE-ja është institucioni i cili merr vendim final, por për të marr një vendim të tillë çfarëdo qoftë ai për ndryshim të çmimit. Duhet që nga përvoja e kaluar si ZRRE duhet të tregohet më transparente në analizën dhe publikimin e gjërave se si qëndron gjendja realisht me furnizimin me energji elektrike, me kosto të tjera operative, shpenzimet dhe mbi bazën e kësaj qytetarët ta ken më të qartë se cili mund të jetë ndryshimi eventual në ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike mbi bazën e planit të korrektësisë”, tha Syla për Lajmi.net.
Ndërkaq, zyrtarë të ZRRE-së i thanë REL-it se këto kërkesa për shtrenjtim të tarifave do t’iu nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme.
Sipas aplikimit të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.
“Pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme për vitin e ardhshëm, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është 528.78 milionë euro”, thuhet në aplikimin që kjo kompani ia ka dorëzuar ZRRE-së.
ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.
Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat./Lajmi.net/