Kryeziu: Manipulimi i votave ishte i orkestruar, a është i pranueshëm një mandat politik i ndërtuar mbi një proces të manipuluar?
Ismet Kryeziu tha se rinumërimi në disa komuna, përfshirë Podujevën dhe Pejën, tregon se manipulimi i votave nuk ishte rastësor, por i orkestruar dhe gjithëpërfshirës. Ai theksoi se, edhe pse teknika e rinumërimit korrigjoi rezultatet, besueshmëria e procesit është rëndë e dëmtuar, duke krijuar precedent për strategji politike me kosto të ulët dhe ligjshmëri formale…
Lajme
Ismet Kryeziu tha se rinumërimi në disa komuna, përfshirë Podujevën dhe Pejën, tregon se manipulimi i votave nuk ishte rastësor, por i orkestruar dhe gjithëpërfshirës.
Ai theksoi se, edhe pse teknika e rinumërimit korrigjoi rezultatet, besueshmëria e procesit është rëndë e dëmtuar, duke krijuar precedent për strategji politike me kosto të ulët dhe ligjshmëri formale pa legjitimitet moral.
Postimi i plotë:
Gati në përfundim të rinumërimit,
Rastet në Podujevë, Pejë e komuna të tjera po dëshmojnë se manipulimi i votave nuk ka qenë as rastësor dhe as i izoluar. Ai ka qenë i orkestruar dhe gjithëpërfshirës, duke mos u kufizuar në një komunë, një kandidat apo një subjekt të vetëm politik. Kjo e thellon ndjeshëm dëmin ndaj besimit publik në procesin zgjedhor.
Teknikisht, rinumërimi ka korrigjuar keqpërdorimet dhe ka rikthyer numrin real të votave për secilin kandidat. Megjithatë, problemi kryesor nuk qëndron më te rezultati – i cili mund të kriojë përbërjen e njëjtë të kuvendit, me atë të para rinumrimit – por te besueshmëria e procesit zgjedhor, e cila është dëmtuar rëndë.
Fakti që shumica e kandidatëve, edhe pas largimit të votave të keqpërdorura, mund të certifikohen si deputetë, nuk e zhbën këtë dëm. Përkundrazi, krijon një precedent të rrezikshëm: manipulimi shndërrohet në një strategji me kosto të ulët, ku përgjegjësia penale bie mbi komisionerët, ndërsa përfitimi politik mbetet tek kandidatët dhe partitë. Kështu krijohet një paradoks serioz: procesi pranohet si i rregulluar ligjërisht, por mbetet i komprometuar moralisht.
Për mua kjo është e qartë. Për kandidatët dhe partitë e tyre, pyetja thelbësore mbetet: a është i pranueshëm një mandat politik i ndërtuar mbi një proces të manipuluar, edhe nëse ai më pas korrigjohet?
Në demokraci, ligjshmëria formale nuk mjafton pa legjitimitet etik dhe moral./Lajmi.net/