Nagavci: Prokurorisë Speciale i kam kërkuar të filloj procedurën penale për procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanalogjik

Ministrja në detyrë e Kosovës, ka njoftuar se sot i është drejtuar përmes një shkrese Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku thotë se e ka njoftuar për shkelje ligjore dhe ka kërkuar fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Ajo ka thënë se Prokurorinë…

Lajme

28/01/2026 16:45

Ministrja në detyrë e Kosovës, ka njoftuar se sot i është drejtuar përmes një shkrese Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku thotë se e ka njoftuar për shkelje ligjore dhe ka kërkuar fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.

Ajo ka thënë se Prokurorinë e ka informuar se personat e dyshuar, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer së paku këto vepra penale:

-Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas Nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;

-Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës, sipas Nenit 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;

-Bashkëkryerja, sipas Nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Në bazë të raporteve dhe dokumenteve zyrtare të pranuara deri më tani, është konstatuar se kemi të bëjmë me veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave të caktuara dhe beneficioneve të pozitës, duke mos respektuar dispozitat ligjore në fuqi dhe në tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave ligjore. Pres që ky rast të trajtohet me seriozitetin e duhur nga organet kompetente dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë në përputhje me ligjin. Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar fuqishëm ndaj respektimit të legjislacionit, transparencës dhe parimit të meritokracisë”, ka shkruar Nagavci.

Të hënën, Nagavci e ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës, Naim Berishës.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bazë të kompetencave të saj, ka për obligim të sigurojë respektimin e legjislacionit në fuqi. Në këtë linjë, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të zgjedhjes, kemi anuluar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Këshilli Drejtues obligohet që, pa vonesë, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për caktimin e ushtruesit të detyrës dhe shpalljen e konkursit. Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar ndaj respektimit të legjislacionit dhe parimit të meritokracisë. Të gjitha shkeljet e adresuara në këtë vendim janë serioze dhe, për këtë arsye, do të procedohen më tej në organet kompetente”, ka shkruar Nagavci.

Naim Berisha, më 22 dhjetor të vitit 2025, u zgjodh Drejtor i Institutit Albanologjik të Kosovës. /Lajmi.net.