“Dallaveret” me vota në Malishevë, këto janë detajet e fundit
Avokatët e dy prej të dyshuarve për dallavere me vota në Komunën e Malishevës kanë dhënë detaje për procesin e intervistimit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Të njëjtit treguan se procesi i intervistimit për rreth 60 të dyshuarit ka përfunduar dhe se janë në pritje të vendimit për shqiptim ose jo të masës së paraburgimit.…
Lajme
Avokatët e dy prej të dyshuarve për dallavere me vota në Komunën e Malishevës kanë dhënë detaje për procesin e intervistimit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Të njëjtit treguan se procesi i intervistimit për rreth 60 të dyshuarit ka përfunduar dhe se janë në pritje të vendimit për shqiptim ose jo të masës së paraburgimit.
Avokati i një prej të dyshuarve, Ergjument Barballushi, tha se në bazë të deklarimit të të dyshuarit procedura e numërimit të votave ka qenë demokratike, por ndryshimet kanë mundur të bëhen nga kryesuesja e asaj qendre të votimit dhe evidentimi më pastaj në sistem të KQZ-së.
Sipas tij, nuk ka kushte që të njëjtit të ndalohet për 48-orë nga Prokuroria.
“E përfaqësojë një person nga Malisheva. Ai ka qenë në procedurë të numërimit të votave si anëtar i komisionit. Ai thotë se procedura ishte shumë demokratike, niveli ka qenë i duhur si është e paraparë me kodin e procedurës penale. Ai thotë se e ka pasur për detyrë nëse i referohem atij që vetëm ti lexoj fletëvotimet dhe caktoj se kush për kënd ka votu. Ndërsa thotë se evidentimin e atyre deklarimeve të mia është bërë përmes kryesueses se komisionit dhe se nuk e dinë se çka ka përfshi ajo në procedurën dhe evidentimin që e ka bërë. Sa i përket anës së atij….për detyrë ka pas me përcjell përcjellësi, përcjellësi i numërimit dhe përcjellësi i evidentimit në databazë se kush cilët numra i ka fitu… Momentalisht nuk ka masa dhe është procedurë e marrjes së pyetjeve dhe jemi në pritje të vendimit të prokurorit a do ta ndalon në 48 orë apo jo. Mua nuk ma merr mendja që ka kushte për atë çështje”, tha ai.
Po ashtu edhe avokati tjetër, Egzon Doli, tha se funksioni i klientit të tij ka qenë numërues i votave, mirëpo nuk dha më shumë detaje se për akuzën konkrete që dyshoheti ai.
“Klienti është në cilësi të anëtarit të komisonit. Deklarata e tij ka të bëjë me funksionin që ka pasur gjatë procesit të numërimit të rezultateve megjithatë, informata më të më hollësishme nuk mund të ofrojmë. Me sa kam informata deri tash jo… e ka përfundu intervistimin… Nëse nuk jam gabim, gjashtëdhjetë”, tha ai.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur të mërkurën një aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në komunën e Malishevës, duke intervistuar dhjetëra komisionerë.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë, Drin Domi.
Ai nuk ka dhënë shumë detaje, duke thënë se aksioni është në fazën e hershme.
“Ka të bëjë me aksionin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore gjatë numërimit brenda subjekteve politike, për deputetë në komunën e Malishevës”, tha shkurt ai.
KosovaPress mëson se Prokuroria do të mbajë një konferencë për media rreth orës 15:00.
Për manipulim me vota nga kandidatët për deputetë, në një aksion të Prokurorisë, u arrestuan 109 persona në Prizren. Prej tyre, 23 përfunduan në paraburgim.