“S’ka asnjë problem për vende të lira në burgje për të dyshuarit në manipulim votash”, Ismaili: Kemi edhe kapacitete shtesë

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se aktualisht ka rreth 800 vende të lira në institucionet korrektuese, në kohën kur në disa komuna janë regjistruar ndalime masive të komisionerëve zgjedhorë për shkak të dyshimeve për manipulim të votave, ndërsa pas përfundimit të procesit të rinumërimit pritet që hetimet të mund të zgjerohen edhe…

Lajme

28/01/2026 13:39

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se aktualisht ka rreth 800 vende të lira në institucionet korrektuese, në kohën kur në disa komuna janë regjistruar ndalime masive të komisionerëve zgjedhorë për shkak të dyshimeve për manipulim të votave, ndërsa pas përfundimit të procesit të rinumërimit pritet që hetimet të mund të zgjerohen edhe më tej.

Drejtori i Përgjithshëm i ShKK-së, Ismail Dibrani, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se sistemi korrektues nuk përballet me mungesë kapacitetesh dhe se ekziston gatishmëri edhe për skenarë të jashtëzakonshëm.

“Neve sot kur po flasim kemi afër 800 vende të lira, por në raste të jashtëzakonshme mund të krijohen hapësira edhe më tutje. Domethënë, nuk ka asnjëherë probleme sa i përket vendeve të lira në burgje. Neve kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me policinë dhe prokurorinë e shtetit, por në raste të tilla, neve po flasim për ndalim policor, kur ata nuk kanë një aktvendim për caktim të paraburgimit. Dhe në këto raste menaxhimi apo mbajtja e këtyre personave i takon Policisë së Kosovës. Ne vetëm i krijojmë hapësirat e lira, objektet që shfrytëzohen nga policia, dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës në këtë rast nuk ka asnjë lloj kompetence apo asnjë lloj obligimi ndaj kësaj kategorie. Por neve asistojmë policinë bazë të kërkesave për të krijuar hapësira të lira”, tha ai.Ai shtoi se pas caktimit të paraburgimit nga gjykata, personat shpërndahen në institucionet përkatëse korrektuese.

“Në momentin kur caktohet masa e paraburgimit, ata shpërndahen në të gjitha institucionet apo qendrat e paraburgimit varësisht se ku edhe koordinohemi me Policinë e Kosovës”, tha ai.

I pyetur për raportimet lidhur me trajtim të papërshtatshëm të të ndaluarve në këto raste, ai i mohoi ato dhe theksoi se kompetenca për ndalimin policor 48-orësh nuk i takon ShKK-së.

“Jo, në asnjë rrethanë. Unë e thashë, është detyrë e policisë nëse flasim për 48 orë, por neve nuk kemi pranuar asnjë ankesë sepse edhe në kushte normale nuk kish dashur, as nuk duhet të pranojmë, sepse adresa është Policia e Kosovës. Por nuk kemi asnjë lloj informate që ka pasur keqtrajtime apo trajtim jo të duhur. Natyrisht, po flasim për hapësira të cilat janë të dedikuara vetëm për Policinë e Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka qasje në këto hapësira”, tha ai.Ndërsa për kushtet në qendrat e paraburgimit, Dibrani deklaroi se ato janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.“Kushtet janë të mira dhe nuk ka asnjë problem sipas standardeve dhe konventave ndërkombëtare. Kështu që, nëse flasim prapë po them për çështjen e ndalimit policor, kompetenca është Policia e Kosovës, por sa i përket çështjes së paraburgimit, neve jemi shembull jo vetëm për rajonin, por edhe për shumë shtete evropiane”, tha ai.

Sot gjatë ditës është raportuar se në stacionin policor të Gjakovës janë marr në pyetje rreth 60 komisionerët e Malishevës në lidhje me manipulimin e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.