Bordi i Paqes mirëpret anëtarësimin e Kosovës, Prenkaj: Mos reagimi i Qeverisë paknaqësi politike
Bordi i Paqes ka mirëpritur Republikën e Kosovës si anëtare themeluese të organizatës. Në njoftimin e publikuar në platformën X, thuhet se Kosova është pranuar si anëtare themeluese e kësaj organizate ndërkombëtare në rritje. “Bordi i Paqes e mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, thuhet në postim. Presidentja e Kosovës,…
Lajme
Bordi i Paqes ka mirëpritur Republikën e Kosovës si anëtare themeluese të organizatës. Në njoftimin e publikuar në platformën X, thuhet se Kosova është pranuar si anëtare themeluese e kësaj organizate ndërkombëtare në rritje.
“Bordi i Paqes e mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, thuhet në postim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 janar të këtij viti ka nënshkruar anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Alber Prenkaj, ambasador karriere, vlerëson se ky anëtarësim është lajm i mirë për Kosovën.
“Anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është lajm i mirë, sepse e rikthen Kosovën në hartën politike të gjeografisë evropiane. Kosova duhet të fillojë t’i shohë përfitimet e saj në kuadër të këtij bordi. Në këtë bord janë mbi 50 për qind e vendeve që nuk e njohin Kosovën, prandaj Kosova duhet të punojë në këtë platformë multilaterale për ta rritur numrin e njohjeve.”, tha Prenkaj për rtv21.
Ai kritikon gjithashtu raportet e Qeverisë Kurti II me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne e kemi parë Qeverinë Kurti II që ka pasur komunikim të vështirë me SHBA-të, duke treguar mungesë bashkëpunimi, dhe kjo na ka kushtuar, pasi kemi parë edhe pezullimin e dialogut strategjik. Mund të ketë edhe pakënaqësi se pse nuk është ftuar zoti Kurti, por nuk ka arsye, pasi aktualisht nuk kemi qeveri as legale e as legjitime. Ndërkohë, presidentja ka qenë e vetmja levë komunikimi me SHBA-të që ka edhe legalitet, edhe legjitimitet.”
Sipas Prenkajt, mungesa e reagimit nga Qeveria mund të ketë edhe prapavijë politike të brendshme.
“Mosreagimi i Qeverisë mund të lexohet si taktikë politike e zotit Kurti, që shkuarjen e presidentes Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes ta shndërrojë në temë të politikës së brendshme, si pjesë e një inxhinierie elektorale, me qëllim që të mos e përkrahin për një mandat të dytë.”. tha ai.