Institucionet kulturore pa drejtorë të përhershëm

Një listë gjithnjë e më e gjatë e institucioneve të kulturës në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë pa drejtorë të përgjithshëm, por vetëm me ushtrues detyre apo zëvendësdrejtorë. Së fundmi, Teatri Kombëtar i Kosovës mbeti pa drejtor pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të atëhershëm, Kushtrim Sheremeti. Mirëpo, kjo situatë nuk është e vetmja. Pa drejtorë…

Lajme

26/01/2026 11:36

Një listë gjithnjë e më e gjatë e institucioneve të kulturës në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë pa drejtorë të përgjithshëm, por vetëm me ushtrues detyre apo zëvendësdrejtorë.

Së fundmi, Teatri Kombëtar i Kosovës mbeti pa drejtor pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të atëhershëm, Kushtrim Sheremeti. Mirëpo, kjo situatë nuk është e vetmja. Pa drejtorë të rregullt vazhdojnë të funksionojnë edhe Baleti Kombëtar i Kosovës, Galeria Kombëtare, Filarmonia e Kosovës, Opera, Ansambli “Shota”, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe institucione të tjera të rëndësishme kulturore.

Sipas njohësve të fushës, funksionimi i një institucioni me ushtrues detyre të drejtorit, mbi të gjitha nënkupton mungesë të vizionit afatgjatë si për të iniciuar projekte madhore, ashtu edhe për të ndërtuar bashkëpunime ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare.

Profesoresha e Fakultetit të Arteve dhe njohëse e fushës së kulturës, Arbnesha Grabovci-Nixha, tha se kur një institucion vazhdon të qëndrojë për një kohë pa drejtor permanent, përbën dëm të madh.

“Tash po bëhet një listë e gjatë e institucioneve të cilat nuk kanë drejtorë që ushtrojnë detyrën, udhëheqin institucionin, duke filluar nga Teatri Kombëtar, Filarmonia, Baleti e shumë të tjera, gjë që sigurisht është në dëm të institucioneve përkatëse. Për marrjen e vendimeve madhore të rëndësishme të institucionit, sigurisht ushtruesi i detyrës së drejtorit nuk mund ta bëjë, sepse në baza juridike ligjet interpretohen në mënyra të ndryshme. Mirëpo, dëmi është i madh, për ta kuptuar, kur një institucion nuk ka drejtorin permanent Mund të keqpërdoret nga ana e ushtruesit të detyrës, nga ana e anëtarëve të këshillit apo kushdo qoftë tjetër. Të gjitha këto sende shkojnë zinxhir, të cilat njëra-tjetrës i reflektojnë fatkeqësisht për të keq”, tha Grabovci Nixha.

Edhe pse ky trend vazhdon të jetë në rritje, disa nga këto institucione, me po ata ushtrues të detyrës, shënuan edhe suksese të mëdha duke përfaqësuar denjësisht Kosovën në skenat e mëdha botërore.

Kritiku i artit, Ilir Muharremi, tha se kjo gjendje nuk po u përshtatet askujt nga fusha e artit. Sipas tij, edhe nëse ushtruesit e detyrës punojnë me përkushtim, ata nuk e kanë autoritetin dhe përgjegjësinë e plotë që e ka një drejtor me mandat të rregullt.

“Faktikisht kjo është bërë si lloj trendi, sepse siç duket shumica, pasi institucionet dominante janë pa drejtorë, janë pa udhëheqës kryesorë dhe ushtruesit e detyrës faktikisht, si Galeria Kombëtare, Teatri Kombëtar, Filarmonia, të gjitha këto normalisht që nuk mund t’i aplikojnë programet njëvjeçare ose dyvjeçare, varet tash edhe sa zgjat procesi i ushtruesit të detyrës. Kjo është bërë si lloj trendi, por nuk shihet si gjë e mirë as nga artistët, as nga përfituesit e projekteve, ose nga njerëzit rezidentë që punojnë aty. Po ashtu, ndoshta edhe te menaxhmenti tjetër, që është drejtori apo puna e financave, sepse ne e dimë që përgjegjësia e një drejtori është përgjegjësi shumë më e madhe dhe shumë më serioze, por nuk po them që ushtruesit nuk e marrin me seriozitet, por sido që të jetë, pozita zyrtare është pozitë, tha Ilir Muharremi

Në fund, Muharremi e lidh këtë problem me mosmarrëveshjet dhe përplasjet politike në nivelet e larta.

“Ato zënkat politike që i kanë këta udhëheqësit më të mëdhenj, ato që ata s’po munden me u marrë vesh, pasojat po i vuajnë artistët që në të vërtetë ia duan të mirën vendit.”, tha Muharemi

Sipas njohësve të administrimit publik, problemi është mungesa e udhëheqjes së rregullt nga Ministria e Kulturës, jo te ushtruesit e detyrës. Zefaj thotë se kjo e pamundëson planifikimin normal të institucioneve.

“Vështirësitë janë të shumta. E para, kur nuk ka drejtor me kontratë të caktuar, atëherë ai drejtor nuk mund të ketë asnjë plan të rregullt pune as në aspektin administrativ e as nuk mund të ketë një plan në aspektin kulturor, sepse ata janë me kontrata të përkohshme dhe nuk kanë mundësi të bëjnë plane afatgjata. Përpos kësaj, ata janë edhe në presion të vazhdueshëm, sepse vazhdimisht ata rrezikojnë që shefi i tyre, qoftë ai ministri apo sekretari i përgjithshëm apo le të jetë kryetar i komunës, ata në secilin moment mund t’i largojnë pa paralajmërim, dmth nga puna, dhe duke qenë në presion të vazhdueshëm ata detyrohen që të zbatojnë çdo kërkesë që kanë shefat e tyre, pavarësisht nëse kërkesat janë të drejta, të rregullta, të parregullta apo edhe të padrejta. Dhe kjo e dëmton cilësinë e programeve dhe projekteve kulturore në përgjithësi.”, tha Zefaj për rtv21

Zefaj thotë se ka kuadro dhe kapacitete për të emëruar drejtorë me konkurs, por mungon vullneti për ta bërë këtë.

“Kosova s’ka kuadro për t’i mbuluar këto pozita sipas kontratave dhe Kosova në të gjithë nivelet ka administratë funksionale që mund të hapë konkurs rekrutimi të drejtorëve sipas fushës ku ata veprojnë.”, u shpreh Zefaj.

Lidhur me këtë RTV21 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Kulturës , por nuk ka marrë përgjigje.