Blerja e pesë kamionëve dhe një autofshesë, arsyeja e bastisjes tek “Eko Regjioni”
Dy persona janë arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në ndërmarrjen “Ekoregjioni” në Prizren, mëngjesin e së hënës. Arsyeja e kësaj bastisjeje, janë blerja e pesë kamionëve dhe një autofshese. Prokurori i rastit, Halim Borovci konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se të arrestuar në këtë aksion janë Arbër Gashi- shef…
Lajme
Dy persona janë arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në ndërmarrjen “Ekoregjioni” në Prizren, mëngjesin e së hënës.
Arsyeja e kësaj bastisjeje, janë blerja e pesë kamionëve dhe një autofshese.
Prokurori i rastit, Halim Borovci konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se të arrestuar në këtë aksion janë Arbër Gashi- shef i njësisë së ekoregjionit në Prizren dhe R.Z.- nga kompania “Dielli” që ka shitur kamionat.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z. A.G dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Bëhet e ditur e hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.
“Urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme”, thuhet në njoftim.