Delegacion i KFOR-it viziton Portin e Durrësit për bashkëpunim logjistik dhe operacional
Një delegacion i Grupit të Bashkuar të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe aleat. Delegacioni është pritur në një takim nga Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, ku është diskutuar roli i portit në mbështetjen e operacioneve…
Lajme
Një delegacion i Grupit të Bashkuar të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe aleat.
Delegacioni është pritur në një takim nga Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, ku është diskutuar roli i portit në mbështetjen e operacioneve logjistike dhe ushtarake të forcave aleate, transmeton lajmi.net.
“Vizita është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare dhe forcave të NATO-s, si dhe për t’u njohur nga afër me kapacitetet infrastrukturore dhe logjistike që ofron Porti i Durrësit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Autoritetit Portual.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e KFOR-it, të përbërë nga nivele të ndryshme drejtuese dhe operative, janë informuar mbi potencialin operacional të portit, zonat e shërbimit dhe mundësitë konkrete që Shqipëria mund të ofrojë si vend pritës për operacione të mbështetura nga KFOR-i.
“Takimi ka shërbyer për shkëmbim informacionesh mbi nevojat logjistike, planifikimin operacional dhe për të theksuar rëndësinë strategjike që Porti i Durrësit ka në rajon”, thuhet më tej në njoftim.
Vizita vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional dhe forcimit të rolit të Shqipërisë në mbështetje të misioneve ndërkombëtare të sigurisë./lajmi.net/