Shifrat flasin qartë: Kosova prodhon pak, importon shumë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për tregtinë e jashtme për muajin dhjetor 2025, i cili tregon se eksportet e vendit kanë mbuluar vetëm 12.5 për qind të importeve, duke reflektuar vazhdimin e një bilanci negativ tregtar. Sipas të dhënave zyrtare, deficiti tregtar në dhjetor 2025 arriti në 557.4 milionë euro, që…
Lajme
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për tregtinë e jashtme për muajin dhjetor 2025, i cili tregon se eksportet e vendit kanë mbuluar vetëm 12.5 për qind të importeve, duke reflektuar vazhdimin e një bilanci negativ tregtar.
Sipas të dhënave zyrtare, deficiti tregtar në dhjetor 2025 arriti në 557.4 milionë euro, që paraqet një përmirësim të lehtë prej 0.7 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur deficiti ishte 561.5 milionë euro, transmeton lajmi.net.
Eksportet e mallrave gjatë këtij muaji kapën vlerën e 79.4 milionë eurove, ndërsa importet arritën në 636.9 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, eksportet shënuan rritje prej 14.1 për qind, ndërsa importet u rritën me 0.9 për qind.
ASK bën të ditur se pjesën më të madhe të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe produktet e tyre me 18.1 për qind, të pasuara nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 15.1 për qind, produktet minerale me 14.4 për qind, plastika dhe goma me 10.7 për qind, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar dhe tekstili.
Në anën tjetër, struktura e importeve dominohet nga mjetet e transportit me 13.6 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13.3 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.9 për qind, si dhe produktet minerale me 12.3 për qind.
Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën në 23.5 milionë euro, që përbën 29.5 për qind të eksporteve totale, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.81 për qind. Partnerët kryesorë për eksport ishin Gjermania, Italia dhe Holanda. Importet nga BE-ja kapën vlerën e 283.2 milionë eurove ose 44.5 për qind të importeve të përgjithshme, me rritje prej 5 për qind, ku Gjermania mbetet furnizuesi kryesor.
Ndërkohë, tregtia me vendet e CEFTA-s vazhdon të ketë peshë të rëndësishme në eksport. Eksportet drejt këtyre vendeve arritën në 39.0 milionë euro, apo 49.1 për qind të totalit, me rritje prej 17.4 për qind. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Importet nga CEFTA ranë ndjeshëm në 75.8 milionë euro, ose 11.9 për qind të importeve totale, me një rënie prej 23.8 për qind.
Eksportet drejt vendeve të tjera jashtë BE-së dhe CEFTA-s arritën në 17.0 milionë euro, ndërsa importet nga këto vende kapën shifrën e 277.8 milionë eurove. Zvicra dhe Turqia ishin partnerët kryesorë për eksport, ndërsa Turqia dhe Kina dominuan importet në këtë grup./lajmi.net/