Rama reagon ashpër për aktivitetin e Gjykatës Speciale në gjimnaz: U ndjeva i indinjuar, nuk ka pasur leje dhe as koordinim me Drejtorinë e Arsimit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me organizimin e një aktiviteti të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Dodaj”, duke theksuar se ngjarja është mbajtur pa miratim dhe pa bashkërendim me institucionet komunale. Rama deklaroi se për aktivitetin nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për Drejtorinë e Arsimit dhe…
Lajme
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me organizimin e një aktiviteti të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Dodaj”, duke theksuar se ngjarja është mbajtur pa miratim dhe pa bashkërendim me institucionet komunale.
Rama deklaroi se për aktivitetin nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për Drejtorinë e Arsimit dhe as për kabinetin e tij, ndërsa shtoi se autoritetet komunale kanë nisur menjëherë veprimet për të sqaruar se si është lejuar zhvillimi i tij, transmeton lajmi.net.
“Kur e mora vesh për këtë aktivitet, u ndjeva jashtëzakonisht i indinjuar, pasi nuk ka pasur as leje dhe as koordinim me Drejtorinë e Arsimit apo me kabinetin tim”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se personat përgjegjës do të përballen me masa në përputhje me rregulloret në fuqi, duke theksuar se veprime të tilla nuk duhet të përsëriten në institucionet arsimore.
“Kemi ndërmarrë masa të menjëhershme. Kushdo që ka vepruar pa leje dhe pa koordinim, normalisht që do të përballet me veprime konkrete. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë në institucionet tona, pa një autorizim të qartë nga Drejtoria e Arsimit”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, Komuna do të zbatojë të gjitha procedurat ligjore për të siguruar që raste të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen./lajmi.net/