Hamza: Është koha që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë luftëtarët e lirisë të kthehen në shtëpi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka ftuar qytetarët që më 17 shkurt, në orën 14:00, të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë nën akuzat e Gjykatës Speciale. Protesta organizohet nga…

Lajme

22/01/2026 17:48

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka ftuar qytetarët që më 17 shkurt, në orën 14:00, të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë nën akuzat e Gjykatës Speciale.

Protesta organizohet nga iniciativa “Liria ka emër” dhe përkon me 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Sipas Hamzës, kjo protestë është thirrje për drejtësi dhe jo për politikë, duke theksuar se drejtësia për ata që dhanë gjithçka për Kosovën dhe që kontribuuan në shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit, është drejtësi për të gjithë qytetarët.

Ai ka bërë thirrje që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe të gjithë luftëtarët e lirisë, të kthehen në shtëpi.

Postimi i plotë: 

Drejtësi, jo politikë!
Drejtësia për ata që dhanë gjithçka për Kosovën, që e shpallën pavarësinë dhe e ndërtuan shtetin, është drejtësi për të gjithë ne.
Më 17 shkurt, në orën 14:00, bashkohemi me qytetarët e Kosovës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Është koha që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë luftëtarët e lirisë të kthehen në shtëpi./lajmi.net/