Reagon shkolla “Xhevdet Doda” për ligjëratën e Gjykatës Speciale: Është organizuar nga organizata “YIHR” – pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës
Shkolla “Xhevdet Doda” ka dal me reagim në lidhje me kritikat që ka marrë në lidhje me rastin se ka lejuar Gjykatën Speciale të ligjeroj para nxënësve të tyre. Në reagimin e bërë, shkolla “Xhevdet Doda” thotë se ligjerata është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), transmeton…
Lajme
Shkolla “Xhevdet Doda” ka dal me reagim në lidhje me kritikat që ka marrë në lidhje me rastin se ka lejuar Gjykatën Speciale të ligjeroj para nxënësve të tyre.
Në reagimin e bërë, shkolla “Xhevdet Doda” thotë se ligjerata është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), transmeton lajmi.net.
“Qëllimi i kësaj ligjërate ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Tutje, shkolla thotë se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk është e përfshirë në këto pëlqime për mbajtje të ligjëratave dhe se pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës -KDSH.
Njoftimi i plotë:
REAGIM PUBLIK
Në lidhje me disa informacione të pasakta që po qarkullojnë, sqarojmë opinionin publik se nuk ka pasur asnjë ligjëratë të mbajtur nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale në ambientet e shkollës sonë.
Ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon ligjërata edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.
Qëllimi i kësaj ligjërate ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ. Gjatë ligjëratës janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative.
Çdo interpretim apo pretendim tjetër që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar.
Theksojmë se kjo organizatë ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në fakultete dhe shkolla të mesme në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.
Për informacione shtesë, palët e interesuara mund të kontaktojnë drejtpërdrejt organizatën në fjalë.
Drejtoria Komunale e Arsimit nuk është e përfshirë në këto pëlqime për mbajtjen e ligjëratave të tilla, dhe pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës – KDSH.
Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik./lajmi.net/